
Një psikologe në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, me gradë master në edukim special, është larguar nga puna menjëherë pasi ka njoftuar se është shtatzënë.
Sipas asaj që transmeton portali SDK, për shkak të stresit të rëndë që ka përjetuar pas mos-vazhdimit të kontratës së punës, ajo ka humbur foshnjën në javën e 27-të të shtatzënisë.
Informacionet e publikuara tregojnë se në vendin e saj janë punësuar persona të rinj, përfshirë edhe një psikolog të ri, dhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi e ka vlerësuar këtë si diskriminim të drejtpërdrejtë interseksional.
Në ankesën e saj, gruaja ka deklaruar se shtatzënia ishte e rregullt dhe pa rreziqe shëndetësore, ndërsa stresi nga humbja e punës e ka çuar në këtë fund tragjik.
Komisioni, siç transmeton SDK, thekson se gratë shtatzëna gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore dhe se ky rast përbën shkelje serioze të të drejtave të tyre, si dhe të Kushtetutës që garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.
