Janë në fazë përfundimtare negociatat me një kompani e cila do të investojë 350-360 milionë euro në pjesën e prodhimit të baterive, paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski. Thotë se kompania vjen prej një vendi të fuqishëm, anëtar i BE-së. Këtë muaj edhe një investitor tjetër i cili ka pjesëmarrje të madhe në eksport, duhet të prononcohet nëse do ta zgjerojë investimin në vendin tonë. Mickoski thotë se për momentin punohet me 15 investitorë të mundshëm.
Kryeministri paralajmëroi ndryshim të modelit për tërheqjen e investitorëve të huaj në dispozitat ligjore në pjesën e përkrahjes. Tha se nuk bëhet fjalë për një ndryshim dramatik. Sipas tij modeli aktual e ka arritur kulmin e tij.
Ndryshimet i pret edhe Këshilli i investimeve të huaja. Tatimi global korporativ të cilin tani do të duhet ta paguajnë kompanitë në vend që janë pjesë e korporatave të mëdha të huaja, e ndryshon skemën për përkrahje të investitorëve të huaj.
Mizo thotë se e presin propozimin e qeverisë që të shohin se si do të ndikojë kjo ndaj tyre. Janë të hapur për të dhënë ide të reja por edhe vërejtje për përmirësimin e atij koncepti.
Përndryshe kompanitë e vendit që janë pjesë e korporatave të huaja, të cilat globalisht realizojnë të ardhura prej 750 milionë euro, ndërsa në vend, mbi 10, ndërsa për përfitim më të lartë se 1 milionë euro, do të duhet të paguajnë tatim të përfitimit prej 15%. Ministrja e financave, Koçoska në emisionin Biznes21 tha se në 2026 presin rreth 30 deri 40 milionë euro në buxhetin e këtij tatimi.

 
                    