Një fushatë online ka nisur në rrjetin social X, ku bëhen thirrje që të bojkotohen produktet dhe kompanitë shqipare në Maqedoninë e Veriut.

Një grup i profileve kryesisht të rreme, që shpërndajnë përmbajtje nacionaliste e që janë përkrahës të hapur të politikave të partisë në pushtet VMRO DPMNNE, po shpërndajnë foto të logove të kompanive shqiptare në vend, duke u vendosur mbishkrime ku bëjnë thirrje që të bojkotohen.

Një ndër postet, i cili është bërë viral në platformën X dhe ka mbi 100 shpërndarje bën thirrje për të mos blerë nga shqiptarët por vetëm nga meqedonasit.

“Mos blini nga shqiptarët”, “Blini vetëm nga maqedonasit”,- janë disa nga komentet e shkruara poshtë postit të publikuar.

Por, përpos thirrjes për bojkot, në komentet haset edhe gjuhë e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Madje, në disa prej komenteve, thuhet se kompanive shqiptare, duhet t’u ndalohet që të distribuojnë produkte nëpër markete.

Po ashtu, bëhet thirrje që të bojkotohen edhe zinxhirët e marketeve me pronare shqiptar.

Përmbajtje të tilla në rrjetet sociale, vijnë në një kohë kur në opinion është aktuale tema e balancuesit, mekanizmit që del nga Marrëveshje e Ohrit, për përfaqësimin adekuat të të gjitha etniteteve në institucionet publike. Si dhe tema e inicuar nga VLEN për themelimin e Akademisë Shkencore shqiptare.