Moti sot, nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, do të jetë me reshje shiu, ndërsa në disa vende reshjet do të jenë më intensive (mbi 20 l/m²), njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Nga DPHM informojnë se, për shkak të depërtimit të një mase ajrore të ftohtë, në zonat malore dhe në disa vende më të larta reshjet e shiut do të kalojnë në borë. Do të fryjë erë e përforcuar, herë pas here e fortë, e cila në disa vende do të arrijë mbi 70 km/h, përcjell TV21.
Temperatura minimale do të jetë nga 1 deri në 6 gradë, ndërsa ajo maksimale nga 7 deri në 12 gradë Celsius.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht i vranët me reshje shiu. Do të fryjë erë e përforcuar deri e fortë nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të zbresë deri në 4 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 10 gradë.
Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, edhe nesër dhe të enjten priten reshje, të cilat në disa vende do të jenë më intensive (nesër mbi 20 l/m², ndërsa të enjten mbi 30 l/m²). Në zonat malore dhe më të larta, reshjet e shiut do të kalojnë në borë.
Të premten dhe të shtunën moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme, me kushte për reshje të dobëta lokale. Nesër dhe të shtunën do të fryjë erë e përforcuar, herë pas here e fortë, me shpejtësi mbi 70 km/h.
Nga e diela pritet një periudhë me mot kryesisht stabil dhe më i ngrohtë.
