Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka reaguar ashpër ndaj situatës së mbrojtësit Raul Asencio, duke bërë të qartë se sjellja jashtë fushës nuk mund të ndahet nga përgjegjësia për të përfaqësuar klubin madrilen.
Mourinho ka treguar se ka biseduar me Asencion kur mori drejtimin e skuadrës, ndërsa ka vlerësuar profesionalizmin e tij në stërvitje.
“Kam folur me të kur erdha këtu. Folëm për gjëra nga e kaluara. Që kur kam ardhur, nuk kam folur më për situatat jashtë fushës. Në Valdebebas ai është një profesionist shembullor. Kur ishte mirë, askush nuk stërvitej më shumë apo më mirë se ai”, ka deklaruar Mourinho.
Megjithatë, portugezi theksoi se fanella e Real Madridit mbart përgjegjësi edhe jashtë fushës.
“Një lojtar i Real Madridit është lojtar i Real Madridit 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe 12 muaj në vit. Gjithçka që bën jashtë fushës vazhdon të reflektojë te Real Madridi dhe dëmton prestigjin e një klubi që është i paprekshëm. Nuk jam i lumtur”, u shpreh ai.
Mourinho shtoi se të gjithë njerëzit mund të gabojnë, por sipas tij, përsëritja e gabimeve e ndryshon situatën.
“Të gjithë bëjmë gabime, por kur gabimet grumbullohen, atëherë është diçka tjetër”, tha trajneri i Real Madridit.
Klubi madrilen ka hapur një procedurë disiplinore ndaj Asencios. Mourinho bëri të ditur se, përderisa procesi është në zhvillim, ai vazhdon ta konsiderojë mbrojtësin si lojtar të Real Madridit.
