
Zyrtarë policorë, me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e kanë privuar nga liria F.S., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm.
Në periudhën nga tetori deri më 13.12.2025, i dyshuari ka marrë një shumë totale prej 50.000 eurosh, me qëllim që të ndërmjetësonte dhe të shfrytëzonte ndikimin e tij real për të ndërhyrë te një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Shkup, si dhe përmes ryshfetit ndaj gjyqtarit të ndikonte që të kryhej një veprim zyrtar që nuk do të duhej të kryhej.
Fillimisht, i dyshuari kishte kërkuar 100.000 euro për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të caktuar ndaj një personi që është i paarritshëm për organet e ndjekjes penale dhe kundër të cilit kjo Prokurori po zhvillon një procedurë tjetër për vepra penale kundër financave publike, qarkullimit të pagesave dhe ekonomisë.
Më 06.10.2025, ai ka marrë një pjesë të shumës së kërkuar, konkretisht 30.000 euro, të dorëzuara nga motra e personit në arrati. Ndërsa më 13.12.2025, ka kërkuar dhe marrë drejtpërdrejt edhe 20.000 euro të tjera, si pjesë e ryshfetit që kishte kërkuar për t’ia dhënë gjyqtarit.
Menjëherë pas pranimit të mjeteve financiare, i dyshuari është privuar nga liria, ndërsa paratë janë gjetur te ai.
