Gazetare: Melihate Rustemi

Pushteti dhe opozita vazhdojnë përplasjet për Bullgarinë dhe integrimin në BE. Ministri i Jashtëm Timço Mucunski bëri të ditur se ka kërkuar takim me homologen bullgare në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, që do të mbahet në Suedi pas rreth dhjetë ditësh. Ai tha se, pavarësisht tensioneve të fundit, dialogu me Bullgarinë është i domosdoshëm.

“Gjëja e parë për të cilën nuk mund të mos çuditem është se sa shumë përputhen qëndrimet e Sofjes dhe të partisë kryesore opozitare, por qytetarët le të gjykojnë. Roli im si ministër i Jashtëm dhe roli i Qeverisë është gjithmonë të qëndrojmë në vijën e mbrojtjes së asaj që është interesi ynë kombëtar dhe prioritet i shtetit, që do të thotë të mos heshtim kur ka përpjekje për poshtërimin e shtetit, por të qëndrojmë fuqishëm në pozicionet që janë të rëndësishme për ne, por gjithashtu të ndërmarrim hapa dhe të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta çuar shtetin përpara në rrugën evropiane”, tha Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme

Mucunski duke kritikuar opozitën, tha se qëndrimet e saj për çështjen bullgare përputhen me ato të Sofjes. Sipas tij, Qeveria do të vazhdojë të mbrojë interesat kombëtare, por njëkohësisht edhe rrugën evropiane të vendit. Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi pushtetin se nuk ka vullnet për reforma dhe integrim evropian. Ai tha se ndryshimet kushtetuese dhe hapja e kapitujve negociues janë rruga e vetme përpara.

“Cili Timço Mucunski e kërkon këtë? Ai që ishte kundër Marrëveshjes së Prespës, ata që e bojkotuan referendumin, apo ky që tani thotë se NATO është një aleancë e mirë ku ne jemi anëtarë dhe që ka siguruar e garantuar sigurinë e vendit dhe se është e mirë për klimën investuese, të cilën meqë ra fjala ata nuk dinë ta shfrytëzojnë, pse? Sepse vjedhin para… Ai kërkon reforma dhe Evropë? Timço Mucunski nuk do reforma dhe Evropë, as Hristijani e as banda. Reformat quhen ndryshime kushtetuese dhe fillim i negociatave, hapje e kapitujve, ky është rruga e vërtetë përpara. Le të mos na hedhin hi syve, le të mos gënjejnë dhe nëse nuk duan, le të largohen sepse do të mbajnë përgjegjësi, edhe Timço edhe të gjithë”, theksoi 

Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës vijnë në kohën kur procesi integrues i vendit mbetet i bllokuar, ndërsa çështja me Bullgarinë vazhdon të jetë një nga temat kryesore politike në vend./Alsat.mk.

 

The post Mucunski kërkon dialog me Sofjen, opozita akuzon Qeverinë për bllokim appeared first on Alsat.