Muhamed Sejdini tërhiqet nga FFM-ja!

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Muhamed Sejdini ka njoftuar se do të tërhiqet nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, por që funksionin e presidentit të kësaj Federate do ta udhëheqë deri më 22 dhjetor, transmeton TV21.

Sejdini nuk ka bërë qartë arsyet e tërheqjes, por shtoi se ky vendim vjen pas një reflektimi për ndryshim.

Kujtojmë se Sejdini ishte cak edhe i sulmeve fizike, por që asnjëherë nuk u mësuan shkaqet e vërteta të atij sulmi.

Njoftimi i plotë i Sejdinit:

“Pas 7 viteve të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë.

Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në Kampionatin Europian EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n.

E lë këtë pozicion me krenari dhe falënderim të madh për të gjithë ata që kontribuuan në këto arritje: lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv (Këshillin Drejtues) dhe çdo dashamirës të futbollit.

Unë do të vazhdoj të ushtroj rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi im.

Me besim të plotë në të ardhmen e Federatës dhe të futbollit tonë, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër vite.

Me respekt dhe mirënjohje,

Muamed Sejdini”.