Gazetar: Zekirija Haxhiu
Muhamet Hoxha dhe Bekim Sali u zgjodhën ministra te rinj. Hoxha do të jetë Ministër i Ekologjisë, ndërsa Sali Ministër i Çështjeve Evropiane. Bekim Sali do të jetë edhe zv.kryeministër, në vend të Izet Mexhiti, i cili u zgjodh kryetar i Çairit në zgjedhjet e fundit lokale. Ministrat e rinj bënë betimin në Kuvend.
Në arsyetimin e tij përpara deputetëve, kryeministri Hristijan Mickoski, tha se nga Bekim Sali dhe Muhamet Hoxha pret punë me përkushtim dhe përgjegjësi.
Gjatë debatit opozita dy ministrat e rinj i cilësoi si të paaftë për të kryer detyrat që iu besohen.
Paraprakisht deputetët votuan për shkarkimin e Orhan Murtezanit, i cili deri sot ishte Ministër i Çështjeve Evropiane. Ndryshimet në Qeveri vijnë pasi ne zgjedhjet lokale, ministri i deritanishëm i Ambientit Jetësor, njëherësh dhe zv.kryeministër i parë Izet Mexhiti, u zgjodh kryetar i Çairit. Nuk dihet nëse pas festave do të ketë ndryshime të reja në përbërjen Qeveritare, pasi më herët kryeministri Mickoski pati deklaruar se për një rekonstruim eventual me të gjerë do të vendosit pas kongresit të VMRO-DPMNE-së, i cili u mbajt në fillim të këtij muaji. /Alsat.mk
The post Muhamet Hoxha zgjidhet Ministër i Ekologjisë, Bekim Sali Ministër i Çështjeve Evropiane dhe zv.kryeministër appeared first on Alsat.
