Ernest Muçi do të zyrtarizohet së shpejti si blerja më e re e Trabzonsporit. Klubi ka vendosur përfundimisht, që të aktivizojë këtë opsion në kontratë. Mbetet për t’u parë ndërkohë, nëse do të ketë zbritje nga Beshiktashi. Fakt është se Trabzonspori paguante 1 milion euro për huazimin e mesfushorit me tipare sulmuese.
“Fotomaç” raporton në Turqi detaje të reja për pagesën. Kështu tregohet se shuma 1 milion euro e huazimit, do t’i zbritet 8.5 milionë eurove. Pjesa e mbetur prej 7.5 milionë eurosh do të paguhet në përpjestim me pesë këste. Diçka e tillë mbetet akoma enigmë në marrëveshjen mes dy klubeve, pasi te Beshiktashi presin 8.5 milionë euro të tjera përpos asaj që fituan nga huazimi.
Nga momenti që Trabzonspori do paguajë këstin e parë, kartoni i Muçit do i përkasë pikërisht Trabzonsporit. Vetë lojtari i Kombëtares ka kërkuar qëndrimin në Trabzon, ndërsa nga fundi i muajit nëntor dhe deri tani numëron 10 gola.
Trajneri Fatih Teke këmbënguli për këtë transferim, teksa bordi drejtues po vijon me procedurat. Në këtë mënyrë te Trabzonspori besojnë, që Muçi do vijojë të japë më të mirën.
The post Mungon vetëm zyrtarizimi, Trabzonspori blen kartonin e Ernest Muçit appeared first on Alsat.
