Gazetare: Melihate Rustemi
Profesori universitar Avzi Mustafa vlerëson se gabimet serioze në tekstin shkollor Gjeografia për klasën e shtatë dhe jo vetëm, nuk janë të rastësishme dhe përsëriten prej vitesh. Ai theksoi se problemi ka rrënjë të thella që datojnë qysh nga viti 1981, kur filluan tentativat për të bastarduar dhe mënjanuar toponimet shqipe. Sipas Mustafës, kjo praktikë ka vazhduar deri në ditët e sotme, duke u shfaqur nëpërmjet përmbajtjeve të shtrembëruara në lëndët shkollore. Mustafa shtoi se problemi nuk është një gabim i thjeshtë teknik, por thelbësor dhe përmbajtjesor duke shtuar se vendosin në dyshim profesionalizmin e autorëve dhe njohjen e lëndës.
“Gabim teknik mund të jetë një germë, një vizatim që mund të ndryshojë kurse këtu është çështje përmbajtësore. Ne kemi tekste në të cilat nuk e dinë autorët ta përkufizojnë Maqedoninë, thotë në perëndim me Bullgarinë, në lindje me Shqipërinë. Por, këto gabime janë të qëllimshme sepse nuk është vetëm një vit, nuk është vetëm një gabim por vit për viti këto gabime përcillen brez pas brezi”, tha Avzi Mustafa, profesor universitar.
Një problem tjetër, sipas tij është se shumica e teksteve shqipe përkthehen nga maqedonishtja. Mustafa thekson se zgjidhja e duhur do të ishte që tekstet që lidhen me identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve të hartohen nga vetë autorë shqiptarë, kontrolluar nga specialistë të shkencës.
“Këtu te ne nuk kanë drejtë shqiptarët të hartojnë tekste në gjuhën shqipe përveç gjuhës dhe letërsisë shqipe, tekstet janë të obliguar ti botojnë në maqedonisht ose prej shqipes ta përkthejnë në maqedonisht por duhet të jetë edhe një specialist I shkencës I cili do ti shikoj të gjitha këto, çka është përfshirë dhe çka nuk ëhstë përfshirë, ku janë gabimet”, shtoi Avzi Mustafa, profesor universitar.
Nga Ministria e Arsimit tashmë kanë informuar se teksti shkollor Gjeografia për klasën e shtatë me mësim në gjuhën shqipe ku u shtrembëruan fakte për Republikën e Kosovës do të korrigjohet, mirëpo në formën online. Gjithashtu, nga Ministria e Arsimit thanë për Alsat se në tekstet e shtypura një korrigjim i tillë pritet të ndodhë në botimin e teksteve të radhës.
Në tekstin e Gjeografisë për klasën VII, botuar nga “Trimaks” dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për Libra Mësimorë, janë vërejtur pasaktësi që, sipas mësimdhënësve, shtrembërojnë informacionin për Republikën e Kosovës. Në njësinë mësimore thuhet se Kosova “gjendet në jugperëndim të Serbisë”, formulim që kritikët e vlerësojnë si të njëanshëm dhe jo në përputhje me mënyrën se si përshkruhen shtetet e tjera të rajonit. /Alsat.mk
The post Mustafa: Shtrembërimet e fakteve historike e gjeografike për shqiptarët, nëpër tekstet shkollore që nga vitet e 80-ta appeared first on Alsat.
