Më 20 shtator 2025, në Tetovë u zhvillua Kupa e Maqedonisë për seniorë si dhe ndeshjet play off, të cilat kishin karakter përzgjedhës për garuesit që do të përfaqësojnë Maqedoninë në Turneun Kualifikues Botëror. Ky turne prestigjioz do të mbahet nga 17 deri më 19 tetor në Paris (Francë) dhe do të jetë vendimtar për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Karatesë për seniorë, që zhvillohet nga 27 deri më 30 nëntor në Kajro (Egjipt). Në mesin e sportistëve më të mirë të vendit, shkëlqeu Gresa Mustafai (U21), garuese e Klubit të Karatesë “Arena”.

Pavarësisht se është ende në kategorinë e moshës U21, ajo zgjodhi të sfidojë vetveten në konkurrencën e senioreve dhe tregoi nivel të lartë profesionalizmi, teknikë të përkryer dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Me një paraqitje mbresëlënëse, Gresa arriti të fitojë titullin kampione e Kupës së Maqedonisë për seniorë, duke lënë pas emra të njohur të karatesë vendore. Falë këtij suksesi, ajo është përzgjedhur nga Federata e Karatesë së Maqedonisë për të qenë pjesë e ekipit që do të garojë në disiplinën kata në Paris, duke përfaqësuar denjësisht jo vetëm klubin e Karate Arena , por edhe sportin shqiptar në përgjithësi.

The post Mustafai, përmes Kupës merr biletën e turneut kualifikues në Paris appeared first on Alsat.