“The New York Times” – Policia franceze garonte me kohën të hënën derisa kërkonte katër hajdutët që kryen një grabitje të guximshme në muzeun e “Louvreit” në Paris, të vetëdijshëm se shanset për të rikuperuar stolitë e vjedhura po zvogëloheshin në çdo orë që kalonte.
Grabitja e së dielës tronditi Francën dhe ngriti pyetje të pakëndshme për sigurinë në një nga institucionet kulturore më të famshme në botë, i cili edhe hënën mbeti i mbyllur.
Të shumtë janë ata që shqetësohen se hajdutët, duke shpërfillur vlerën historike të bizhuterive, mund t’i ndajnë copë-copë për të shitur gurët e çmuar në tregun e zi ose për të shkrirë metalet e vlefshme.
“Këtë mëngjes, shumica e popullit francez ndihen sikur janë grabitur”, ka thënë ministri i drejtësisë Gérald Darmanin për radion “France Inter” të hënën. “Ashtu si kur ‘Notre-Dame’ u dogj, ndjemë se ishte kisha jonë që po digjej – edhe nëse nuk ishe katolik – po ashtu një grabitje kaq e jashtëzakonshme bizhuterish në ‘Louvre’ duket e tmerrshme”.
“Nuk mund t’i sigurojmë plotësisht të gjitha vendet”, zoti Darmanin. “Por ajo që është e sigurt është se kemi dështuar”.
Presidenti Emmanuel Macron, tashmë nën presion për shkak të trazirave politike dhe vështirësive ekonomike, premtoi se hajdutët do të kapeshin. Ministrat si ai i Punëve të Brendshme dhe ai i Kulturës mbajtën një takim emergjent të hënën në lidhje me grabitjen, duke treguar seriozitetin me të cilin Qeveria po e trajtonte çështjen.
Minutat kritike
Zyrtarët deklaruan se grabitja filloi në orën 09:30 të mëngjesit të dielën, kur katër hajdutë mbërritën në një skaj jugor të “Louvreit” me një shkallë elektrike të montuar mbi një kamion. Dy prej tyre u ngjitën me shkallë deri në galerinë “Apollo”, në katin e dytë të muzeut, ku ruhen stolitë mbretërore të Francës.
Rreth 30 minuta pasi Muzeu kishte hapur dyert, dy hajdutët me maska përdorën mjete elektrike për të thyer një dritare në orën 09:34.
Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, hajdutët që hynë në galeri nuk dukeshin të armatosur, por kërcënuan pesë roje sigurie që ndodheshin aty pranë. Rojet evakuuan shpejt vizitorët që ndodheshin brenda.
Hajdutët thyen dy vitrina ekspozuese dhe morën disa bizhuteri përpara se të dilnin me shpejtësi nga dritarja e thyer, tregoi Beccuau për kanalin “BFMTV” të dielën mbrëma. Ata tentuan të digjnin koshin e shkallës elektrike me të cilën ishin ngjitur dhe më pas u arratisën me motoçikleta.
Midis tetë stolive historike, ata grabiten edhe një të perandoreshës Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III, sundimtar i Francës në shekullin XIX.
Por atyre ju rrëshqiti eksponati i nëntë, të cilin autoritetet e gjetën më vonë: kurorën e perandoreshës Eugénie, e zbukuruar me 1 mijë e 354 diamante, 1 mijë 136 diamante të prera në formë trëndafili dhe 56 smeralde.
“Është një tragjedi, sepse salla është mahnitëse, dhe vetë bizhuteritë janë magjepsëse”, ka thënë Gerard Hyslop, 55 vjeç, një udhërrëfyes që po shoqëronte një grup turistësh në “Louvre” dhe të hënën dhe u detyrua të ndryshojë programin. “Nëse nuk rikuperohen, do të jetë një humbje e madhe për kulturën franceze”.
Zyrtarët nuk dhanë një vlerësim të përgjithshëm të vlerës monetare të eksponateve të vjedhura. Megjithatë, një prej tyre – një fjongo dekorative me varëse të stolisura me gurë, që gjithashtu i përkiste perandoreshës Eugénie është listuar nga Shoqata e Miqve të ‘Louvreit” me vlerë 6.72 milionë euro. Shoqata, një sponsor privat që ndihmon muzeun të blejë eksponate me vlerë artistike ose historike, e kishte blerë këtë eksponat nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2008.
Vazhdimi i masës së mbylljes
Muzeu njoftoi të hënën se do të qëndronte i mbyllur “pas grabitjes së djeshme” dhe se vizitorët që kishin blerë bileta do të rimbursoheshin.
Nuk ishte menjëherë e qartë pse “Louvre” mbeti i mbyllur, pasi Prokuroria e Parisit kishte njoftuar se hetuesit kishin përfunduar pjesën më të madhe të punës kriminalistike në vendngjarje. Muzeu nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
“Louvre” do të mbetet i mbyllur edhe një ditë tjetër pasi zakonisht të martave nuk është i hapur.
Ky ish-pallat mbretëror, i shndërruar në muze pas Revolucionit Francez, tërheq mijëra turistë çdo ditë dhe strehon më shumë se 33 mijë vepra arti. Vitin e kaluar priti rreth 8.7 milionë vizitorë, pothuajse 80 për qind prej tyre nga vende të tjera.
Shqetësimet për mbipopullimin dhe infrastrukturën e vjetërsuar e shtynë presidentin Macron të shpallë plane për rinovimin dhe zgjerimin e “Louvreit”, që përfshin edhe zhvendosjen e “Mona Lisas” në një hapësirë të veçantë ekspozimi.
Masat e sigurisë në pikëpyetje
Politikanët kritikuan shpejt qeverinë franceze për dështimin për të mbrojtur trashëgiminë kombëtare nga një grabitje e kryer në mes të ditës.
Ministria e Kulturës deklaroi se dy alarme – një në dritare dhe një tjetër në vitrinat e ekspozimit – ishin aktivizuar, dhe se rojat e sigurisë ndoqën protokollin e duhur për të mbrojtur vizitorët dhe për të njoftuar policinë. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua.
Ristrukturimi që presidenti Macron e njoftoi në janar parashikonte një kuadër të ri sigurie, që tashmë ka filluar të zbatohet. Ai përfshin instalimin e kamerave të reja dhe ngritjen e një qendre të re komanduese, megjithëse nuk është e qartë sa është përparuar në këto plane.
E pyetur për ndonjë pistë të mundshme, prokurorja Beccuau tregoi se “çdo gjë është e mundur” dhe se hetuesit nuk po përjashtojnë asnjë hipotezë, përfshirë ndërhyrjen e mundshme të huaj. Megjithatë, ajo ka thënë se krimi i organizuar është skenari më i mundshëm.
Sipas saj, shpejtësia e grabitjes tregon se hajdutët ishin me përvojë, por ende nuk dihet për kë punonin dhe çfarë synonin të bënin me stolitë e vjedhura.
“Një koleksionist privat mund ta ketë porositur grabitjen”, ka thënë ajo. “Kriminelët gjithashtu mund t’i çmontojnë dhe të shesin gurët, perlat ose metalet e çmuara”.
Njëri prej hajdutëve kishte veshur një jelek pune të verdhë, i cili tani po analizohet nga policia. Beccuau shtoi se 60 hetues po marrin në pyetje dëshmitarë, po analizojnë provat kriminalistike dhe po shqyrtojnë pamjet nga kamerat e sigurisë brenda muzeut dhe në rrugët përreth.
“Jemi absolutisht të vendosur”, ka thënë ajo.
Shënjestrimi i muzeve të tjerë nga hajdutët
Në shtator, hajdutë që përdorën mjete elektrike vodhën eksponate ari të papërpunuar me vlerë rreth 750 mijë euro nga Muzeu Kombëtar i Historisë Natyrore, vetëm disa ndalesa metroje larg “Louvreit”.
Po atë muaj, dy pjata porcelani dhe një vazo me vlerë rreth 9.5 milionë euro u vodhën nga Muzeu Kombëtar “Adrien Dubouché” në Limoges. Ndërsa në vitin 2024, hajdutët vodhën kuti duhani luksoze nga Muzeu “Cognacq-Jay” në Paris.
“Për 40 vjet, nuk iu kushtua vëmendje sigurimit të këtyre muzeve të mëdhenj”, pohoi ministrja e Kulturës, Rachida Dati, për televizionin “TF1” të dielën. “Duhet t’i përshtatim këto institucione me format e reja të kriminalitetit”.
Pas takimit emergjent të së hënës, Ministria e Brendshme njoftoi se do të dërgonte udhëzime në të gjithë vendin për të vlerësuar menjëherë masat ekzistuese të sigurisë në institucionet kulturore dhe për t’i forcuar ato aty ku është e nevojshme.
The post Muzetë francezë përballë hovit kriminal appeared first on Alsat.