Nga mesnata e sotme karburantet sërish do të shiten me çmime më të shtrenjta. Komisioni rregullator për energjetikë solli vendimin në bazë të bursave botërore dhe forcimit të dollarit kundrejt denarit që çmimi i naftës do të rritet për 3,5 denarë për litër, për vajin ekstra të lehtë rritet për 2.5 denarë për litër, çmimi i mazutit për 0,15 denarë, ndërsa çmimet e dy llojeve të benzinave mbeten të pandryshuara. Nga KRRE kumtojnë që përkundër uljes së TVSH-së së karburanteve nga 18% në 10% me vendim të qeverisë, këto janë çmimet e reja që mund të përdoren në shitjet me pakicë nga minuta parë e datës 24.03.2026

Në çmim përllogariten edhe shpenzimet e transportit nga depoja në stacionet e benzinës në vlerë prej 1 denarë për litër për të gjitha derivatet e naftës, me përjashtim të mazutit. Po ashtu, përfshihet edhe taksa ekologjike për financimin e aktiviteteve të mjedisit, dhe tarifa e rezervave të detyrueshme.
Sipas kryeministrit Mickoski me ndryshimin e situatës do të ketë edhe masa të tjera për të amortizuar krizën e shkaktuar nga turbulencat e bursave botërore. Ai tha se aktualisht nuk ka nevojë për ulje të akcizës së derivateve as të kufizimit të shitjes së shtetasve fqinjë.
“Në këtë moment jo që i plotësojmë nevojat e brendshme, por për shkak të çmimit më të ulët të benzinës dhe naftës në rajon, kemi shumë qytetarë fqinjë që mbushin derivate tek pompat tona të benzinës. Presioni më i madh është në kufijtë Verior, Perëndimor dhe Jugor, te kjo e fundit Ohër, Strugë e Dibër; në jug Manastiri dhe Gjevgjelia kurse në veri në Kumanovë. Diku rreth 150 mijë litra në ditë ka rritje të konsumit, nëse krahasohet kjo me atë konsumin e zakonshëm nga e kaluara”, tha Micksoki.
Në bazë të nenit 30-c të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, KRRE miratoi Rregulloren për përcaktimin e çmimeve më të larta me pakicë të derivateve të caktuara të naftës dhe karburanteve për transport.
Nëse mes dy seancave të rregullta, bëhen ndryshime me akt në shumat e tarifave, taksave ose ngarkesave të përfshira në llogaritje, atëherë një vendim i ri i jashtëzakonshëm do të miratohet në një seancë të jashtëzakonshme për të përcaktuar çmimet më të larta me pakicë të derivateve të naftës dhe
karburanteve për transport, të cilat do të përfshijnë shumat e reja të tarifave, taksave ose ngarkesave.
