Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka deklaruar se investimet në mbrojtje janë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, rajon i cili, sipas saj, ndikohet jo vetëm nga zhvillimet gjeopolitike globale, por mbi të gjitha nga dialogu politik.

Në një intervistë për agjencinë Beta, në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, Shekerinska theksoi se Aleanca vazhdimisht u bën thirrje autoriteteve në rajon që të angazhohen në dialog, të zgjidhin çështjet e mbetura politike dhe të mbështesin prosperitetin e stabilitetin rajonal.

“Besojmë se të gjitha vendet e rajonit mund të kontribuojnë dhe janë të interesuara për stabilitetin. Prandaj presim që të gjithë të japin mbështetjen e tyre në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

E pyetur për takimin e fundit të zyrtarëve të mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për paralajmërimin për ushtrime të përbashkëta ushtarake, në kontekst të reagimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se kjo mund të ketë pasoja afatgjata për sigurinë në rajon, Shekerinska u shpreh se Shqipëria dhe Kroacia, si anëtare të NATO-s, janë kontribuues të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Ato nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe me vlerë brenda Aleancës, por edhe kontribuuese të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Janë të pranishme në KFOR dhe në përgjithësi janë shumë të fokusuara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, deklaroi ajo.

Shekerinska shtoi se NATO-ja nuk ka marrë pjesë në diskutimet apo konsultimet lidhur me deklaratën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes që Zagrebi, Tirana dhe Prishtina e nënshkruan në mars të vitit të kaluar. Megjithatë, ajo theksoi se anëtarësimi në NATO nuk i pengon vendet të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.

Ajo nënvizoi se situata globale gjeopolitike ka ndikuar edhe në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë më shumë ushtrime ushtarake dhe rritje të investimeve në mbrojtje dhe siguri. Megjithatë, sipas saj, NATO vazhdon t’i ftojë aleatët dhe partnerët që paralelisht të angazhohen në dialog politik dhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Në këtë kuadër, ajo rikujtoi se NATO-ja mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe synon të krijojë një mjedis të favorshëm për zgjidhje politike.

“Nuk kam asnjë dyshim se të gjithë aleatët tanë besojnë fuqishëm se siguria, paqja dhe prosperiteti janë e vetmja qasje e duhur për Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Shekerinska.

Gjatë ditës së djeshme, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, u takuan ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë e Kroacia. Nga aty ministri kroat Ivan Anushiq ka thënë se bashkëpunimi ushtarak mes tri vendeve nuk e rrezikon askënd, duke iu kundërpërgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se do të rrisin investimet në mbrojtje shkaku i kësaj aleance.