Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz, lajmin e kanë bërë të ditur miq dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite.

Ai ishte i njohur për analizat e tij politike, debatet publike dhe qëndrimet e drejtpërdrejta për zhvillimet në vend dhe rajon.

Agim Jonuz ishte figurë e njohur për publikun e gjerë si analist politik, publicist dhe ish-zëdhënës qeverie, i cili shpesh është angazhuar në çështje që lidhen me identitetin, marrëdhëniet ndëretnike dhe proceset integruese të vendit.

Agim Jonuz lindi dhe u rrit në Shkup, ku e zhvilloi edhe pjesën më të madhe të jetës profesionale.

Ai ka qenë për shumë vite i angazhuar në sektorin publik dhe privat, ndërsa ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në periudha të ndryshme, ku është vlerësuar për qasjen profesionale dhe komunikimin e qartë me opinionin publik.

Jonuz ishte dhe pjesë e fushës së biznesit në Shkup, Ankara dhe Lindjen e Mesme, ndërsa njëkohësisht ishte këshilltar dhe konsulent në fusha të ndryshme ekonomike dhe të sigurisë.

Si analist politik, Jonuz ishte i pranishëm në shumë debatet televizive dhe forume publike, ku komentonte zhvillimet politike në vend, marrëdhëniet mes komuniteteve etnike dhe rrugën euro-integruese të Maqedonisë së Veriut.

The post Ndahet nga jeta analisti dhe publicisti nga Shkupi, Agim Jonuz appeared first on Alsat.