Sfida më e madhe në luftën kundër dhunës në familje është tërheqja e deklaratave nga viktimat, deklaroi ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, duke shtuar se institucionet duhet të gjejnë një mënyrë për një koordinim më efikas brenda kornizës së rregulloreve ekzistuese. Ministri po ashtu bëri të ditur se mbrëmë janë ndaluar 2 persona të dyshuar si dhunues të mundshëm dhe po mbahen në stacione policore.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje që sistemi 24/7 të përgjigjet jo vetëm nga perspektiva e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por edhe përmes qendrave për punë sociale, Prokurorisë dhe Gjykatës. Në aspektin e organizatave joqeveritare, viktimave duhet që t’u jepet mbështetje. Çdo qytetar që do të konstatojë situatë që ka potencial për dhunë në familje, të informojë para se gjithash policinë maqedonase, që të mund të reagojmë ashtu siç duhet të reagojmë”, tha Pançe Toshkovski, minister i Punëve të Brendshme.