Në katër fshatra të Tetovës është ndaluar konsumimi i ujit nga ujësjellësit, pasi analizat kanë treguar se nuk i plotëson kushtet për konsum. Bëhet fjalë për vendbanimet Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Poroj dhe Xhepçisht. Ky vendim erdhi pas analizave të fundit të Qendrës për Shëndet Publik. Nga ndërmarrja komunale „Sharri” sqarojnë se këto katër fshatra nuk furnizohen nga ujësjellësi i qytetit të Tetovës dhe se përgjegjësia për furnizimin dhe menaxhimin e ujit është në kompetencë të strukturave lokale, megjithatë theksojnë se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve mbetet përgjegjësi e tyre administrative.

“Janë këto rrjete të ujësjellësit që menaxhohen nga vetë bashkësitë lokale. Por, pasi që fshatrat janë nën kompetencat e komunës, e kemi për obligim që t’i mbikëqyrim dhe t’u bëjmë analiza për ujin. Në këto katër vendbanime uji nuk klorifikohet, prandaj jemi të detyruar t’ju krijojmë një sistem klorifikimi, që uji të jetë sa më i sigurt për pije për të gjithë banorët”, tha Valon Zeqiri – NPK “Sharri”.

NPK „Sharri“ njofton se ndalesa mbetet në fuqi deri në një njoftim të ri nga institucionet kompetente, ndërsa banorëve u bëhet thirrje të mos e përdorin ujin për pije apo konsum.

Por dikush i sfidon për këtë! Në shenjë revolte dhe për të zbutur panikun te banorët, kryetari i kësaj bashkësie, Gajur Sinani, piu një gotë ujë para kamerave.

Ju thoni se uji pihet?
“Po, uji pihet edhe tash do ta pi ujin, i sigurt 100%, i pari. Uji nuk ka problem, për ujin në Reçicë të Madhe për momentin nuk ka problem. Analizat po i presim ditën e hënë. Kryesore do të jem edhe unë prezent, se kam qenë në komision… do të jem edhe unë prezent se barra bie mbi mua. Popullata, qytetarët kanë frikë se ndodh diçka… çdokush thërret në telefon ‘çka ka uji, çka ka uji’. Uji është i pastër si loti, mos të kenë gajle aspak fare”, u shpreh Gajur Sinani – Bashkësia Lokale Reçicë e Madhe.

Sinani kërkon sqarime se ku praktikisht janë marrë mostrat, duke garantuar se uji i fshatit të tyre vjen nga burime të sigurta malore dhe se cilësia matet rregullisht.

“Për momentin janë tre burime të ujit. Një burim është te Kodra e Diellit , një është te arat e dinës me sa folëm është burimi i ujit edhe një e kemi direkt prej te pika e gurëve. Ne e bëjmë analizën çdo muaj apo çdo javë, po, çdo muaj kemi pasur analizë të ujit, a është i pijshëm a si është. Por për momentin ne nuk e dimë ku kanë marrë mostra për analizë, a në Reçicë të Madhe, a në Reçicë të Vogël, se ndahet uji i naltë. Tash edhe Tetova e merr atë ujë ku marrim ne. Kemi dy bazene që përmbajnë klor”, theksoi Gajur Sinani – Bashkësia Lokale Reçicë e Madhe.

Përderisa në rrjetin kryesor të Tetovës rrjedhin 420 litra ujë në sekondë dhe kontrollet bëhen pesë herë në javë, menaxhimi i ujit në zonat rurale mbetet një pikë e nxehtë. Qendra për Shëndet Publik kryen rreth 400 analiza në vit për të gjithë Tetovën dhe 99 fshatrat e saj, një numër që shpesh konsiderohet i pamjaftueshëm për të mbuluar fshatrat që e menaxhojnë ujin në mënyrë të pavarur.