
Drejtori i Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, së bashku me drejtuesit e Departamentit për mbrojtjen e natyrës dhe shërbimin e renxherëve, realizuan kontrolle të zgjeruara në terren në Parkun Kombëtar Mali Sharr, konkretisht në zonën e Kodrës së Diellit, me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e vlerave natyrore të parkut. Gjatë kontrollit në terren, në pronë shtetërore, u konstatuan aktivitetet e skiimit me pesë makina ratrak nga një operator i caktuar, i cili nuk kishte lidhur kontratë ose marrëveshje të përshtatshme me Institucionin Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, siç parashikohet me Vendimin për regjimin e lëvizjes me automjete në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe me Planin e Menaxhimit të parkut. Si rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre kontrolleve, menjëherë u mor masa për ndalimin e lëvizjes së ratrakëve të operatorëve që nuk përmbushën kushtet ligjore, pra ata që nuk kishin lidhur kontratë me institucionin për rregullimin e ushtrimit të aktivitetit turistik brenda territorit të parkut. Gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare, punonjësit e Institucionit u penguan nga operatori përmes lëvizjes së ratrakëve, duke pamundësuar kështu zbatimin e detyrave të parashikuara me nenin 112 të Ligjit për mbrojtjen e natyrës. Veprimet jolegjitime të operatorit krijuan rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e punonjësve të Institucionit, duke dëmtuar funksionimin normal të aktiviteteve institucionale dhe respektimin e legjislacionit në fuqi. Pas ngjarjes, do të dorëzohet një raport në Ministrinë e punëve të brendshme dhe në Inspektoratin shtetëror për mbrojtjen e mjedisit dhe planifikimin hapësinor. Institucioni i kujton publikun se ushtrimi i aktivitetit të skiimit me ratrak në Parkun Kombëtar Mali Sharr lejohet vetëm në zonat e përcaktuara për menaxhim aktiv, jashtë zonës së mbrojtjes së rreptë, dhe vetëm në përputhje të plotë me kushtet ligjore dhe kontraktuale. Përmes marrëdhënieve kontraktuale vendoset një regjim i qartë lëvizjeje, mbikëqyrjeje dhe përgjegjësie për operatorët, me qëllim kufizimin e ndikimit të aktiviteteve të motorizuara mbi habitatet e ndjeshme, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e ekuilibrit ekologjik të parkut. Shërbimi i renxherëve i Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të intensifikuara në terren, si dhe me marrjen e masave ligjore për çdo shkelje të konstatuar, në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për mbrojtjen e natyrës. Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj menaxhimit të qëndrueshëm të zonës së mbrojtur, zhvillimit të turizmit të përgjegjshëm dhe ruajtjes së vlerave natyrore, në interes të publikut dhe të brezave të ardhshëm.
