Një vajzë shtatëvjeçare nga fshati Çellopek i Tetovës ka ndërruar jetë pas trajtimit spitalor në Spitalin Klinik të Tetovës, njoftuan sot nga kjo qendër shëndetësore.
Fëmija ishte pranuar në repartin e pediatrisë të shtunën, më 20 shtator, në orën 20:40. Nga spitali thonë se menjëherë ishin ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për stabilizimin e gjendjes.
“Për qëllime të trajtimit të mëtejshëm u kërkua edhe ndihmë nga reparti i ORL-së për aspirimin e sekrecioneve nga zgavra e gojës. Gjatë ndërhyrjes pacientja nuk tregoi reagim dhe menjëherë u transferua në repartin e kujdesit intensiv, ku u ndërmorën të gjitha masat për reanimim. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, pacientja ndërroi jetë”, thuhet në njoftim.
Për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, spitali ka kërkuar të kryhet autopsi mjeko-ligjore, por familja e vajzës deri tani refuzon.
“Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta dhe dhimbjen e thellë për familjen në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe tragjike. Jemi të gatshëm për bashkëpunim të plotë me institucionet kompetente”, shtojnë nga Spitali Klinik i Tetovës.
