Gazetar: Mihajllo Donev

Shtatë muaj pas tragjedisë në “Puls” në Koçan, sot ka ndërruar jetë muzikanti Vlladimir Bllazhev-Panço nga bendi DNA, i cili u plagos rëndë në zjarr dhe trajtohej në spital privat. Numri i viktimave është rritur në 63 kurse Prokuroria thotë se trupi i Panços do të dorëzohet për autopsi.

“Prokuroria Publike do të lëshojë urdhër për autopsi të personit për të cilin procedura u pezullua përkohësisht pikërisht për shkak të gjendjes së tij shëndetësore”, njoftojnë nga PThP.

Bllazhev ishte pjesë e hetimit për zjarrin në Koçan për shkak të piroteknikës që shkaktoi flakët. Ndërkohë, prindërit e viktimave në Koçani, përveç marshimit protestues, filluan bllokime njëorëshe në rreth-rrotullimin e qytetit deri në fillimin e gjykimit për tragjedinë. Nëse nuk ka përgjigje nga organet, prindërit thonë se do t’i zhvendosin protestat në Shkup

Aktakuza kundër 34 personave fizikë dhe juridikë për zjarrin në Koçan, në të cilin pronari i klubit të natës “Puls” është i akuzuari kryesor, është marrë tashmë, megjithatë, ende nuk ka datë për gjykim. Gjykata Penale për Alsat tha se palët në procedurë do të njoftohen së pari për datën.

“Kur të kemi datë për gjykimin, do ta njoftojmë publikun. Nuk kemi afate për këtë, por sipas ligjit, të gjitha palët në procedurë duhet të njoftohen së pari sepse janë shumë, pastaj do të njoftojmë datën dhe vendin ku do të mbahet seanca kryesore dëgjimore”, njoftojnë nga Gjykata Themelore Penale, Shkup.

Gjykata Penale gjithashtu informoi se ekzistojnë tri mundësi për vendin ku mund të mbahen seancat dëgjimore – në ndërtesën e Penales, në sallën e re digjitale të gjyqit në Idrizovë ose në sallën e madhe në Supreme. Më parë kishte njoftime se gjykimi për këtë rast do të mbahej në Idrizovë për shkak të madhësisë së sallës, por ende nuk ka vendim zyrtar. Nga ana tjetër, Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit po zhvillon rast të veçantë kundër policëve të përfshirë në tragjedinë e Koçanit, por aktakuza nuk është ende gati dhe hetimi atje është ende vazhdon. Dje, njëri nga oficerët e policisë të përfshirë në këtë rast ndërroi jetë ndërsa Prokuroria për Krimin e Organizuar mohoi informacionin e disa mediave se polici ka ndërruar jetë në paraburgim. /Alsat.mk

The post Ndërron jetë Vlladimir Bllazhev-Panço nga grupi DNA, pas plagëve të marra në klubin “Puls” appeared first on Alsat.