Ndërtimi i deponive rajonale do të jetë zgjidhje që deponitë e vogla dhe ilegale të hiqen në tërësi, shpreson ministri i Ekologjisë, Muhamet Hoxha. Sipas tij, me ndërtimin e deponive rajonale, siç është ajo në Rusino, do të eliminohen edhe deponitë ilegale.

“Shpresojmë se me rindërtimin apo ndërtimin e deponive rajonale për menaxhim me mbeturinat, do ju vjen fundi edhe deponive ilegale. Ashtu siç edhe e kemi njoftuar opinionin në muajin e fundit, se jemi tashmë në fazën e parë të realizimit të projektit për ndërtimin e Qendrave Rajonale për grumbullimin e mbeturinave, njëra nga to qendra është edhe kjo këtu në Rusino ku fillojmë fazën e parë të realizimit, pra sigurimit të pajisjeve apo mekanizimit që do jetë në përdorim për Rusinon por edhe komunat e këtij rajoni”, tha Muhamet Hoxha

Hoxha sot po ashtu bëri të ditur se deponia rajonale Rusino, edhe pse ishte planifikuar të zhvendosej nga lokacioni aktual për shkak të ndotjes së ujit dhe afërsisë me qytetin e Gostivarit, nuk do të zhvendoset, por do të investohet në pajisjen dhe modernizimin e saj.

 “Ndërtimi i Qendrave rajonale për ndërtimin e mbeturinave do përfshi disa rajone, pra një ndër to do jetë edhe ndërtimi i qendrës rajonale për grumbullim të mbetjeve këtu në Rusino”, deklaroi Hoxha.

Hoxha foli edhe për statusin juridik të deponisë Drislla, e cila, sipas tij, do të vazhdojë të mbetet në ingerencë të Qytetit të Shkupit. Këto komente Hoxha i bëri sot gjatë inaugurimit të makinerisë së re për deponinë Rusino në Pollog, e cila është siguruar me mbështetjen e BERZH-it dhe Ambasadës së Zvicrës.