Gazetare: Melihate Rustemi

Ndikimi i rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët po shqetëson gjithnjë e më shumë shoqërinë. Sociologë, prindër dhe profesionistë paralajmërojnë për pasoja serioze në shëndetin mendor, zhvillimin social dhe komunikimin ndërnjerëzor të brezave të rinj, si pasojë e ekspozimit të pakontrolluar në platformat digjitale. Sociologu Ali Pajaziti vlerëson se bëhet fjalë për një problem afatgjatë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në formimin e gjeneratave të ardhshme.

“Në të ardhmen, nëse shkohet me këtë kurs do të kemi gjenerata të cilat do të jenë asocial, gjenerata të cilat do të tërhiqen në skajet e veta, në kthinat e veta të cilat nuk do të duan që të komunikojnë me njëri tjetrin. Gjenerata të cilave do tu pengoj gjithçka, gjenerata të cilat do të jenë qeni humanoide, njerëzore por ama do të kenë shumë tipare të robotëve ose të krijesave të cilat I ka krijuar njeriu të cilat nuk do të frymojnë sikur që frymon një njeri normal,” tha Ali Pajaziti, sociolog.

Një lëvizje qytetare e quajtur “Iniciativa për fëmijëri të sigurt” ka nisur një peticion online, i cili tashmë është hapur, për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 12 vjeç dhe rregullimin e qasjes për të miturit deri në 16 vjeç. Përfaqësuesi i iniciativës, Marko Troshanovski, thekson se problemi nuk qëndron vetëm te përmbajtjet, por te vetë mënyra se si janë ndërtuar platformat digjitale.

“Mediat sociale, të cilat deri më tani i kemi trajtuar si një përfitim të padiskutueshëm për fëmijët tanë të mitur, në fakt, përmes mënyrës se si janë të strukturuara, të programuara dhe se si janë dizajnuar algoritmet e tyre, po krijojnë individë problematikë për këtë shoqëri. Ato po dëmtojnë shëndetin e tyre mendor dhe zhvillimin psikofizik, duke krijuar nivele shumë më të larta agresiviteti, si dhe imazhe të gabuara e të shtrembëruara për trupin e njeriut dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Supozimi është se deri në moshën 12 ose 16 vjeçare, një individ i ri nuk ka kapacitet t’i perceptojë në mënyrë kritike të gjitha ato përmbajtje ndaj të cilave ekspozohet pa asnjë lloj filtra,” deklaroi Marko Troshanovski, “Iniciativa për fëmijëri të sigurt”, lëvizje qytetare.

Troshanovski tha se peticioni, që në ditët e para, ka marrë qindra nënshkrime dhe është mbështetur edhe nga këshillat e prindërve në disa shkolla. Organizatorët bëjnë të ditur se, me rritjen e mbështetjes, iniciativa do t’u drejtohet Ministrisë për Transformim Digjital, Ministrisë së Arsimit dhe deputetëve në Kuvend, për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve ligjore. Nisma mbështetet edhe në praktikat ndërkombëtare, pasi disa shtete evropiane dhe Australia kanë vendosur kufizime të ngjashme, ndërsa institucionet evropiane rekomandojnë moshën minimale 16 vjeç për qasje të pakufizuar në rrjetet sociale. /alsat.mk

The post Ndikimi i rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët po shqetëson gjithnjë e më shumë shoqërinë appeared first on Alsat.