Në sheshin “Skenderbeu” në Shkup koalicioni VLEN e hapi shtabin qendror të zgjedhjeve lokale.
Emrat për kandidatë e komunave ende nuk i kanë dhe thonë se nuk po nguten për këtë, por po bëjnë anketa për të gjetur emrat më të mirë.
Këto zgjedhje nuk janë thjesht zgjedhje komunale, u shpreh Bilall Kasmai, por zgjedhje për t’ua rikthyer dinjitetin komunave.
“Për tua rikthyer dinjitetin qytetarëve tanë që edhe pushteti lokal të jetë në shërbim të tyre, ashtu siç pushteti qendror është në shërbim të tyre për një vit qeverisje”, tha Kasami.
Mbështetësit e VLEN-it e përkrahin unifikimin, u shpreh Izet Mexhiti, duke shtuar se me bashkimin që ka bërë VLEN-i, ka bërë që edhe të tjerët të bashkohen.
“I kemi detyruar edhe të tjerët të shndërrohen në dy taborë që të mos digjet vota shqiptare por të ketë një konkurrencë dhe platformë, në program dhe ide”, theksoi Mexhiti.
E tabori tjetër, Fronti Europian, është në prag të zgjerimit, nën një emër të ri – Fronti Kombëtar.
“Ne na intereson që sa më të unifikuar dhe sa më të etabluar që të jenë partitë politike të kampit shqiptar, aq më të realizueshëm dhe më të suksesshëm do të jemi në gara”, tha Ahmeti.
Po pritet që këtij Fronti t’i bashkohet edhe Arben Taravari. Kanë komunikim, por ende nuk kanë prerë asgjë.
“Ne po diskutojmë për bashkëpunimin me partitë politike opozitare shqiptare, me qëllim që të krijojmë një frymë bashkëpunimi për ti fituar të gjitha komunat shqiptare në vend!”, u shpreh Ramadani.
“Tani çështja është se si t’i koordinojmë aktivitetet dhe nuk është shtruar çështja se a do t’i bashkohet z.Taravari Frontit Kombëtar”, shtoi Ahmeti.
Kreu i integristëve po ashtu u shpreh se për BDI-në, bashkë me zgjedhjet lokale duket të ketë edhe zgjedhje parlamentare, gjersa shtoi se pret epilog pozitiv për këtë gjë.
