Gazetare: Melihate Rustemi
Ndërsa cilësia e ajrit në kryeqytet mbetet shqetësuese, zemërimi i qytetarëve dhe aktivistëve të mjedisit vazhdon të rritet. Nismat qytetare për ajër të pastër thonë se kërkesat për ndërhyrje urgjente nga autoritetet janë shndërruar në zhgënjim, pasi masat e propozuara deri më tani kanë mbetur vetëm në letër. Ivana Drakuloska tha për Alsat se ndotja në Shkup është rezultat i ndërtimeve pa kontroll. Ajo thekson se mbipopullimi i kryeqytetit vjen si pasojë e harresës së qyteteve të tjera, të cilat vuajnë për kushte bazë, duke detyruar qytetarët të shpërngulen drejt Shkupit.
“Është e vërtetë që Shkupi është i mbipopulluar, por kjo vjen si pasojë e politikave të gabuara qendrore; qytetet e tjera në Maqedoni nuk po zhvillohen, saqë në shumë prej tyre nuk ka as kinema në shekullin 21. Nuk mund t’i gjykojmë njerëzit nga qytetet e tjera që zgjedhin kushte më të mira jetese duke u shpërngulur në Shkup. Lejet e ndërtimit po jepen pa kontroll majtas e djathtas. Kemi ndërtesë pas ndërtese, madje edhe mbi ndërtesa. Përveçse jemi në luginë dhe malet nuk lejojnë erërat, kemi edhe mbindërtim, sidomos në zonën qendrore të Shkupit”, tha Ivana Drakuloska, Aktiviste .
Për qytetarët, e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur mbetet vetëizolimi.
Anketë me qytetarë
“Po përpiqeni të mbroni veten? Të mbroni veten… Epo, duke mos dalë jashtë, duke qëndruar në shtëpi. Sot, dje dhe pardje, këto dy ose tre ditë ishin pak më të pastra. Mendoj se masat janë shumë të dobëta, të pamjaftueshme. Sidoqoftë, kjo është vdekjeprurëse për të gjithë popullsinë”.
“E vetmja gjë për të cilën dal është të luftoj për mbijetesë për të marrë furnizime dhe menjëherë kthehem në shtëpi. Mund të jem jashtë për një orë ose 2 orë. Ne japim para, kemi formuar një qeveri, ky nuk është problem që sot, ky ka qenë problem për një kohë të gjatë në Maqedoni. Megjithatë, tani në këtë dhe plus kushtet e prishura klimatike, mendoj se autoritetet tona përkatëse ose qeveria duhet ta marrin këtë shumë më seriozisht pa vonesë”.
Ndërkohë, për të mbrojtur shëndetin e nxënësve nga ndotja, ministria e Arsimit rekomandon shkollat të zbatojnë këto masa: të shmanget fshirja e thatë që ngre pluhurin. Të përdoren produkte pa aroma artificiale dhe pa simbole rreziku, të vendosen tapete në hyrje për të ndaluar pluhurin dhe të mbillen gardhe rreth oborrit për të bllokuar gazrat e makinave, të mbushen klasat me bimë që pastrojnë ajrin dhe të zëvendësohen dërrasat me shkumës me dërrasa të bardha./Alsat.mk
The post Ndotja alarmante gjatë sezonit të dimrit përbën shqetësim real për qytetarët appeared first on Alsat.
