Parlamenti francez ka miratuar një amendament me të cilin “pëlqimi” përfshihet zyrtarisht në përkufizimin ligjor të përdhunimit dhe sulmit seksual — çka konsiderohet si një ndryshim historik në luftën kundër dhunës seksuale, njofton BBC.

Deri tani, ligji në Francë e përkufizonte përdhunimin si “çdo formë penetrimi seksual e kryer me përdorim të dhunës, detyrimit, kërcënimit ose befasisë”. Me amendamentin e ri, çdo akt seksual i kryer pa pëlqimin e personit tjetër konsiderohet përdhunim.

Ligji përcakton se pëlqimi duhet të jetë “i lirë, i informuar, specifik, paraprak dhe i tërheqshëm”. Ai nuk mund të nënkuptohet në bazë të “heshtjes apo mungesës së reagimit”.

Ndryshimi u nxit nga rasti i Gisèle Pelico, bashkëshorti i së cilës e kishte droguar për vite me radhë dhe kishte lejuar burra të tjerë ta përdhunonin ndërsa ajo ishte pa ndjenja. Në atë rast u dënuan 50 burra, dhe disa prej tyre u mbrojtën duke thënë se nuk e dinin që viktima nuk ishte në gjendje të jepte pëlqimin e saj — boshllëk ligjor që ligji i ri e eliminon.

Pavarësisht kritikave se ndryshimi do t’i kthente marrëdhëniet intime në “kontrata”, gjykata më e lartë administrative e Francës vlerësoi se amendamenti forcon parimin themelor të lirisë personale dhe seksuale.

Sipas organizatës “Amnesty International France”, me këtë ndryshim Franca i bashkohet vendeve si Suedia, Gjermania dhe Spanja, të cilat tashmë kanë ligje për përdhunimin të bazuara në pëlqim.