Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli në Komisionin për sistem politik ku u shqyrtuan propozim ligji për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, vlerësoi se me këto ndryshime pushteti po tenton ta manipulojë rezultatin zgjedhor.
“Ne kërkuam edhe në seancën plenare që kjo pikë të tërhiqet nga rendi i ditës, gjë që nuk ndodhi. Por ne gjithashtu do të vazhdojmë që të shprehim qëndrimin tonë dhe do të votojmë kundër edhe në vazhdim pas përfundimit të këtij komisioni. Çdo ndryshim të njëanshëm të Kodit Zgjedhor, e cilësojmë si përpjekje për manipulim të rezultatit zgjedhor dhe për këtë jemi dëshmitarë se jeni edhe mjeshtër kur vjen puna për interesat tuaja dhe gjithashtu fatkeqësisht edhe për të rrezikuar rendin demokratik në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Pasholli
U kritikua nga deputetja e shumicës, Saranda Imeri.
Ajo ia kujtoi Pashollit ndryshimet e Kodit zgjedhor gjatë pushtetit të BDI-së të cilat sipas saj ishin miratuar poashtu pa konsultim me opozitën.
“Kur flitet për parimet dhe për shkeljen e rregullave të demokracisë kolege e nderuar, mendoj se BDI është një shembull perfekt për ta, ilustruar këtë. Nëse ju keni harruar në të kaluarën, ne nuk kemi harruar ndryshimet e Kodit Zgjedhor që janë bërë në të kaluarën pa konsensus dhe pa asnjë marrëveshje me opozitën e atëhershme. Unë vetëm mund t’ua përmend disa nga ato fakte. Për shembull, ulët cenzusin për zgjedhjen e presidentit nga pesëdhjetë në katërdhjetë përqind”, tha Imeri dhe numëroi edhe disa fakte të tjera.
