Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend, tha se personalisht për atë nuk është me rëndësi nëse liderët e VLEN-it e shtyjnë afatin e “kushtëzimit” për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, përcjell TV21. Murtezani tha se ndryshimet kushtetuese do të jenë para deputetëve në Kuvend, në momentin që do të sigurohen nga Bullgaria që nuk do të ketë kushte të reja.
“Në këtë drejtim, nuk është me rëndësi koha sa muaj do të marrë, por në momentin që ne do të jemi të sigurt që zgjidhja e ardhshme nuk do të përfundojë me një veto tjetër potenciale nga Bullgaria, atëherë çështja e ndryshimeve kushtetuese do të vijë para jush në Parlament, sepse atëherë mbetet vetëm çështje teknike për të siguruar 80 deputetë. Në mendimin tim personal, nuk është me rëndësi afati a do të zhvendoset i koalicionit VLEN ose jo, kjo është çështje që ju mbetet kryetarëve, për mua me rëndësi personale, si udhëheqës i resorit të eurointegrimeve është që e shoh me sytë e mi dhe jam prezent në të gjitha këto takime, për të gjetur një zgjidhje, zgjidhje që do të garantojë përfundimin e procesit”, tha mes tjerash Murtezani.
