Në Brazil jetojnë disa nga njerëzit më të moshuar në botë dhe shkencëtarët besojnë se ky vend mund të mbajë çelësin për të kuptuar pse disa njerëz jetojnë mbi 110 vjet.
Një analizë shkencore e publikuar ditë më parë në revistën Genomic Psychiatry, nga doktoresha Mayana Zatz dhe kolegët e saj në Universitetin e Sao Paulos, tregon se Brazili është një nga vendet më të rëndësishme, por ende të nënvlerësuara, për studimin e jetëgjatësisë, ka shkruar ScienceDaily.
Për dekada me radhë, shkenca është përpjekur të kuptojë pse vetëm një numër shumë i vogël njerëzish arrijnë të jetojnë mbi 110 vjet, ndërsa shumica nuk e kalojnë moshën 100-vjeçare.
Sipas autorëve të studimit, një nga arsyet pse përgjigjet kanë qenë të kufizuara lidhet me faktin se shumica e kërkimeve janë bërë te popullsi gjenetikisht të ngjashme.
“Kjo është veçanërisht kufizuese në studimet mbi jetëgjatësinë, sepse njerëzit me përzierje të ndryshme gjenetike mund të kenë variante mbrojtëse që nuk shihen te popullsitë më homogjene”, ka shpjeguar Mateus Vidigal de Castro, autor kryesor i analizës.
Pse Brazili është kaq i veçantë?
Historia e Brazilit e dallon atë nga pothuajse çdo vend tjetër.
Kolonizimi portugez, skllavëria e miliona afrikanëve dhe emigrimi nga Evropa dhe Japonia kanë krijuar një nga përzierjet gjenetike më të pasura në botë.
Studimet e hershme gjenetike kanë zbuluar miliona ndryshime gjenetike që nuk ishin regjistruar më parë.
Vetëm te brazilianët mbi 60 vjeç janë gjetur mijëra variante gjentike që mungojnë në databazat globale.
Kjo do të thotë se në Brazil mund të ekzistojnë mekanizma mbrojtës që shkenca ende nuk i ka zbuluar.
Një grup i rrallë njerëzish shumë jetëgjatë
Studiuesit kanë ndërtuar një grup unik me mbi 160 persona mbi 100 vjeç, përfshirë 20 persona mbi 110 vjeç.
Ata vijnë nga rajone të ndryshme të Brazilit dhe kanë pasur kushte shumë të ndryshme jetese.
Në këtë grup ishte edhe motra Inah, e cila u njoh si personi më i vjetër në botë deri në vdekjen e saj në vitin 2025, në moshën 116-vjeçare.
Pjesë e studimit ishin edhe dy burrat më të vjetër në botë, njëri që vdiq në moshën 112 vjeçe dhe tjetri që është ende gjallë dhe ka 113 vjet.
Jetëgjatësi edhe pa mjekësi moderne
Ajo që i bën këta njerëz edhe më interesantë është fakti se shumë prej tyre kanë jetuar pjesën më të madhe të jetës pa qasje të mirë në shërbime shëndetësore.
Megjithatë, disa prej tyre kanë ruajtur kthjelltësinë mendore dhe pavarësinë edhe në moshë shumë të shtyrë.
Kjo u jep shkencëtarëve mundësinë të studiojnë qëndrueshmërinë natyrore të trupit, të zhvilluar pa ndërhyrje të shumta mjekësore.
Familje që sfidojnë moshën
Një rast i veçantë në studim është një familje ku një grua 110-vjeçare ka tri familjare të afërta mbi 100 vjeçe.
Njëra prej tyre ishte ende kampione noti në moshën 100-vjeçare.
Studime të mëparshme tregojnë se vëllezërit dhe motrat e personave mbi 100 vjeç kanë 5 deri në 17 herë më shumë gjasa të jetojnë po aq gjatë.
“Studimi i këtyre familjeve të rralla na ndihmon të kuptojmë më mirë rolin e gjeneve dhe faktorëve të tjerë në jetëgjatësinë ekstreme”, ka thënë De Castro.
Çfarë i dallon biologjikisht këta njerëz
Sipas studiuesve, sistemi imunitar i superqindvjeçarëve funksionon ndryshe.
Qelizat e tyre arrijnë të “pastrojnë” më mirë dëmtimet dhe të ruajnë funksionet e trupit, sikur të ishin shumë më të rinj.
Gjatë pandemisë së COVID-19, tre persona mbi 110 vjeç në Brazil u infektuan, por e kaluan sëmundjen pa vaksinë. Analizat treguan se trupi i tyre krijoi mbrojtje të fortë ndaj virusit.
Autorët e studimit kanë shpjeguar se plakja e sistemit imunitar te këta njerëz nuk duket si dobësim, por si përshtatje që e ndihmon trupin të mbijetojë.
Një mesazh për shkencën globale
Studiuesit theksojnë se Brazili ka një numër të pazakontë njerëzish shumë jetëgjatë, si burra ashtu edhe gra, çka është e rrallë sidomos te burrat.
Sipas Zatz, studimet ndërkombëtare duhet të përfshijnë më shumë popullsi të ndryshme gjenetikisht.
“Duhet t’i zgjerojmë studimet për të përfshirë popullsi si ajo e Brazilit, ose të mbështesim financiarisht studime afatgjata që e bëjnë shkencën më të drejtë dhe më përfaqësuese”, ka thënë ajo.
Sipas autorëve, këta njerëz nuk janë vetëm shembuj të jetës së gjatë, por të qëndrueshmërisë, përshtatjes dhe forcës biologjike, cilësi që mund t’i ndihmojë të gjithë njerëzit të plaken më shëndetshëm.
