Policia në Britaninë e Madhe po kërkon intensivisht një të burgosur dhe azilkërkues nga Etiopia, i cili u lirua gabimisht nga burgu, dhe rasti i të cilit më parë kishte shkaktuar një valë protestash kundër emigrantëve në të gjithë vendin.

Hadush Gerberslasie Kebatu (38) u dënua në shtator me 12 muaj burg për pesë vepra penale, përfshirë sulmin seksual ndaj një vajze 14-vjeçare në korrik të këtij viti, vetëm disa ditë pasi mbërriti në Angli me anije.

Autoritetet konfirmuan se Kebatu u lirua gabimisht nga Burgu i Chelmsford të premten pasdite, pasi ai ishte regjistruar gabimisht si i burgosur që duhej të lirohej, në vend që të transferohej në një qendër paraburgimi për imigracionin.

Sipas mediave britanike, pak pasi u largua, ai u pa në stacionin e trenit duke hipur në tren.

Policia e Essex tha se Kebatu është parë për herë të fundit në zonën e Londrës dhe se njësi të shumta policore po punojnë për ta gjetur atë.

“Oficerët punuan gjatë gjithë natës për të ndjekur lëvizjet e tij, duke përfshirë shqyrtimin e pamjeve të kamerave të mbikëqyrjes për orë të tëra, dhe kjo punë vazhdon edhe sot”, thuhet në deklaratë.

Shërbimi i burgjeve ka nisur një hetim të brendshëm dhe një oficer është pezulluar nga detyra derisa të përcaktohen rrethanat e incidentit.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo situatë ka shkaktuar shqetësim publik. Jemi të përkushtuar për ta gjetur dhe arrestuar atë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha policia.

Sipas mediave britanike, policia i bëri thirrje gjithashtu Kebatit që të dorëzohej.

The post Në Britani një i burgosur lirohet gabimisht, policia nis kërkimet – i bën thirrje të dorëzohet appeared first on Alsat.