Trupi i liderit të vrarë të Hamasit, Ismail Haniyeh, ka mbërritur në xhaminë imam Muhamed ibn Abd al-Vahhab në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Njerëz të shumtë kanë mbërritur në xhaminë Imam Muhamed ibn Abd al-Vahhab të Dohas, e njohur gjithashtu si Xhamia e Madhe e Shtetit të Katarit.
Aty do të mbahen edhe lutjet e varrimit për Ismail Haniyeh.
Masa të forta sigurie janë vendosur në vendngjarje, të pranishmit kontrollohen dhe u ndalohet të mbajnë telefona
Pas lutjeve të varrimit, ku pritet të marrin pjesë dhjetëra personalitete shtetërore, trupi i Haniyeh do të dërgohet në një varrezë në Lusail, në veri të Dohas, për t’u varrosur.
Udhëheqësi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh u vra në kryeqytetin iranian Teheran më 31 korrik rreth orës 2 të mëngjesit
Kush ishte Haniyeh?
Ai ka qenë pjesë e Hamasit për dekada, në vitet e fundit ka drejtuar operacionet politike të grupit militant nga mërgimi, duke u shfaqur si një nga udhëheqësit e tij më të dukshëm gjatë luftës me Izraelin në Gaza. Ai ishte një bashkëbisedues kyç me ndërmjetësit ndërkombëtarë në bisedimet e pengjeve dhe armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
Vrasja e tij është një goditje për grupin militant palestinez dhe vjen në një kohë të vështirë për Lindjen e Mesme, ku konfrontimet e përshkallëzuara midis Izraelit dhe Hezbollahut kërcënojnë të zgjerohen në një luftë rajonale. Gjithashtu vrasja e tij vë në pikëpyetje të ardhmen e negociatave Izrael-Hamas.