Gazetar: Miki Trajkovski

Në vend të troftës së Ohrit dhe salmonit, Dita e Peshkatarëve, e cila festohet vetëm në Ohër dhe askund tjetër në botë, këtë vit u shënua me peshk cironkë. Në këtë ditë, më 20 janar në të kaluarën, kur në liqen kishte shumë peshq, përfundonte ndalesa e peshkimit të troftës së Ohrit, me ç’rast shënohej edhe fillimi i sezonit të peshkimit. Por sot situata është shumë ndryshe. Trofta e Ohrit është gjithnjë e më e rrallë, peshkimi bëhet gjatë gjithë vitit, ndërsa peshkatarët e paligjshëm shëtisin nëpër liqen. Trofta më e madhe e Ohrit që ndonjëherë është kapur në Liqenin e Ohrit ka qenë e rëndë 16 kilogramë.

“Normalisht që ka peshq, nuk është mal kjo, por ka shumë peshkatarë dhe prandaj peshku gjen mënyra për t’u fshehur. Më së shumti kapen peshqit që sjellin më shumë të ardhura, e kjo është trofta, ndaj ajo është më e rrallë”, tha Ljupço Maslov, peshkatar.

“Që të kapet diçka ka, edhe që të skuqet diçka ka, si për shembull kjo, ai që i ka skuqur, i lumtë, janë shumë të shijshme, pak të kripura. Salmon ohri ka mjaftueshëm, ka klen, krap, për troftë nuk mund të them”, tha Ljupço Lepi, peshkatar.

“Kjo është traditë që ka ekzistuar që nga gjyshërit e mi. Unë jam nga Kalaja. 100–200 vjet sa di unë, edhe më herët ka ekzistuar”, u shpreh një banor i Ohrit.

Në ngjarjen e sotme në lagjen Sarajishtë, ku u shërbye falas peshk cironkë pavarësisht motit të ftohtë pati vizitorë të shumtë.

“Jam këtu tashmë një muaj e gjysmë. E adhuroj Ohrit. Ohri është i mrekullueshëm. Njerëzit janë shumë të mirë. Është një festë e madhe. Të gjithë janë aq të sjellshëm. Muzikë, argëtim. Po, sot festojmë. Sot është Dita e Peshkatarëve”, tha një turist.

“Ndjehemi mrekullisht. Ohri është i preferuari ynë. Paça është super dhe më e mirë se ajo e Prilepit. Peshk provova, sepse jam adhuruese e peshkut, dhe është super”, u shpreh një turiste. /Alsat.mk

The post Në Ohër u mbajt Dita e Peshkatarëve, festën e shënuan jo vetëm banorët por edhe turistët appeared first on Alsat.