Në Strugë VMRO dhe VLEN nuk po arrijnë marrëveshje për këshillin komunal

VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i nuk po arrijnë marrëveshje për kryesuesin. Burime nga VMRO për Alsat bëjnë të ditur se pa kryetar këshilli nga radhët e tyre, nuk do të ketë koalicion me VLEN në Strugë, e me këtë as mbështetje për Mendi Qyrën. Pas mbledhjes së këshillit të premten, kur nuk u zgjodh kryetari, gjatë fundjavës nuk ka pasur asnjë bisedë zyrtare. Burime nga VMRO thonë se me votat e tyre Qyra është bërë kryetar i Strugës dhe se pa 6 këshilltarët e VMRO-së, VLEN nuk do të mund të ketë shumicë në këshill. Edhe në fund të javës së kaluar VMRO ishte decide se kërkon kreun e këshillit.

“Ne nuk bëjmë marrëveshje me askënd. Këshilli është organ i veçantë i komunës. Kur të krijohen kushtet për shumicë dhe për zgjedhjen e kryetarit, atëherë do të realizohet. Cili është kërkimi i VMRO-së këtu, a është kërkesa që kryetari të jetë nga radhët tuaja? Për këto çështje bisedohet në nivel më të lartë në parti. Kjo do të bëhet e ditur kur të merret vendimi dhe kur të arrihet marrëveshja përfundimtare”, tha Mite Stevoski – këshilltar i VMRO DPMNE.

Një pjesë e kërkesave të VMRO-së janë edhe për pozitat drejtuese në disa ndërmarrje publike dhe shkolla. VLEN thotë se ende nuk ka asnjë marrëveshje.

“Ne ende nuk jemi takuar me partnerët tanë për bisedimet rreth Këshillit të Strugës. Qëndrimet tona do t’i bëjmë të ditura pasi të takohemi dhe t’i dëgjojmë nga afër pozicionet e tyre. Ajo që ishte më e rëndësishmja, u realizua. Struga iu kthye qytetarëve të saj. Fituan struganët. Tani radhën e ka përmbushja e detyrimeve të marra gjatë fushatës. Realizimi i programit të kryetarit të komunës, Mendi Qyra, do të jetë prioritet i VLEN”, u shpreh Albërim Hoxha – shef i shtabit të VLEN në Strugë.

Në Këshillin e Strugës, VMRO-DPMNE ka 6 këshilltarë, VLEN 4, AKI 8 këshilltarë, 3 ka lista e mbështetur nga ish-kryetari i Strugës Ramiz Merko, ndërsa nga një këshilltar kanë “E Majta” dhe LSDM.

“Janë të detyruar që paraprakisht, ata që tashmë pretendojnë për funksion të tillë, të kenë dorëzuar program përkatës dhe të kenë ndërtuar shumicë mbi parime të marrëveshjeve të qarta, procedurave transparente dhe respektit të ndërsjellë të koalicionit me të cilin do të funksionohet në të ardhmen, e nga i cili këshilli dhe qytetarët do të kenë përfitim. Deri në këtë moment, tek unë nuk ka ardhur asnjë ofertë dhe nuk e di nëse dikush ka përgatitur një ofertë të tillë për të marrë mbështetjen në këtë moment”, tha Dimçe Shipinkaroski – këshilltar nga LSDM.

Nëse deri në mars nuk miratohet buxheti për vitin 2026, atëherë ligji parashikon zgjedhje të reja për këshilltarë./Alsat.mk