Brenda vitit 2026 do të nisin punët për ndërtimin e Sahat Kullës në Tetovë. Ajo do të financohet nga Komuna e Konjës në Turqi me vlerë rreth 200 mijë euro, por nuk ka afat konkret se kur do të përfundojë. Për këtë memorandum bashkëpunimi nënshkruan komuna e Tetovës dhe Qendra Nacionale për Konservim.

“Paraprakisht e dini që ka pasur disa tentime, ka pasur edhe sigurim të mjeteve financiare të përkrahjeve financiare por nuk u arrit të realizohet ky projekt si pjesë e trashëgimisë kulturore. Është siguruar një donacion nga Komuna e Konjës (Turqi). Besoj që aktivitetet e para ndërtimore do të fillojnë brenda vitit 2026”, tha Bilall Kasami.

Drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, Aleksandar Jordanoski, siguroi se Qendra do të fillojë të gjitha punët përgatitore duke filluar nga valorizimi i trashëgimisë kulturore, kontrolli i projektit të deritanishëm deri tek revidimi i gjithë dokumentacionit.

“Në fund të vitit 2005 dhe fillim të vitit 2006 kanë filluar gërmimet arkeologjike, që është një procedurë e nevojshme ligjore kur duhet të fillojnë të realizohet ndonjë projekt i kësaj natyre. Në vitin 2016 është bërë projekti, janë dhënë vërejtje të caktuara dhe aty ka ngecur procedura”, tha Aleksandar Jordanoski.

Sahat Kulla në Tetovë është projekt që është premtuar nga shumë kryetar komunash, duke përfshi edhe mandatin e parë të kryetarit aktual.