Dolores Aveiro, nëna e Cristiano Ronaldos, ka shkaktuar reagime me deklaratat e saj pas humbjes së Portugalisë nga Danimarka në Braga. Ajo u shpreh se nuk është aspak e zhgënjyer me rezultatin, pasi sipas saj, djali i saj nuk ka marrë respektin e merituar nga bashkëlojtarët dhe Federata Portugeze e Futbollit.

Duke folur për gazetarët në një aktivitet të organizuar nga shoqata “Leões de Portugal”, Aveiro tha se Ronaldo është i zhgënjyer me mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet dhe se është ndier i mashtruar.

“Ronaldo është i trishtuar, do të donte që gjërat të kishin shkuar ndryshe. Ai është i trishtuar sepse u mashtrua dhe unë jam e trishtuar gjithashtu”, deklaroi ajo.

Deklarata më e fortë e saj lidhej pikërisht me humbjen e kombëtares portugeze ndaj Danimarkës, për të cilën ajo nuk e fshehu qëndrimin e saj.

“Ishte një humbje dhe kështu e merituan. Jam e lumtur që Portugalia humbi. Ata nuk e respektuan Cristianon”, tha Aveiro, duke shtuar se, sipas saj, as bashkëlojtarët e tij nuk i kishin treguar respekt.