Qeveria e Maqedonisë së Veriut është duke bërë përpjekje maksimale për ta zhbllokuar rrugën drejt Bashkimit Europian, por nëse Shqipëria bëhet pjesë e Unionit para Maqedonisë, duhet ta dini se Maqedonia do të ketë një vend mik që do ta ndihmojë në rrugën eurointegruese, siguroi ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në DailyClick TV21.
“Nëse ne do të arrijmë të futemi para jush dhe të përjetonim këtë zhvillim ekonomik, të jeni i sigurt se ju keni një mik në kufirin tuaj perëndimor që do ju ndihmonte sërish dhe pa asnjë dyshim”, tha Denion Meidani – Ambasador i Shqipërisë në Shkup.
Sa i përket debatit për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, Meidani u shpreh se nuk ka asgjë që e cenon shqipen, e cila sipas tij, është realitet i pamohueshëm.
“Çështja e gjuhës shqipe është një çështje e të drejtave kushtetuese në këtë vend dhe për rrjedhojë është e çimentuar në themelet e këtij shteti. Mos keni asnjë shqetësim se është një e drejtë kushtetuese e fituar dhe një nga pilarët e Marrëveshjes së Ohrit”, shtoi Ambasadori i Shqipërisë në RMV, Denion Meidani.
I pyetur për ngjarjet e nëntorit të vitit të kaluar, kur një polic në Kumanovë e hoqi flamurin kombëtar shqiptar nga shtylla dhe e hodhi, ambasadori shqiptar tha ende po presin një vendim se çfarë do të ndodhë me policin, gjersa shtoi nuk mund të ketë fshehje pas përgjigjeve të tipit polici ka qenë duke e zhvendosur flamurin.
“Siç thash, jemi në pritje dhe nuk duam ta paragjykojmë rastin.
-D.m.th. ju prisni që të ketë një pasojë për këtë akt.
-Mendoj që ligjet e Maqedonisë së Veriut duhet të zbatohen pa ekujvok, në mënyrë rigoroze dhe të drejtë për këdo shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ky është qëndrimi ynë zyrtar”, deklaroi Denion Meidani – Ambasador i Shqipërisë në Shkup.
Duke folur për çështjen e maqedonasve në Shqipëri dhe akuzat se Bullgaria po bën presion për t’i bërë që të deklarohen si bullgarë, Meidani tha se befasohen nga deklarata të tilla, sepse sipas tij, situata nuk është aspak e tillë. Siguroi se Shqipëria ka kornizat ligjore më të avancuara për mbrojtjen e pakicave kombëtare, të cilat sipas tij, janë të integruara mirë në shoqërinë në Shqipëri.
