Nesër, kontrolle falas dhe pa termine në Klinikën e Neurologjisë në RMV

Ministria për Shëndetësi në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se nesër do të ketë kontroll falas dhe pa termine në Klinikën e Neurologjisë për shkak Ditës Botërore të Goditjes në Tru, transmeton Portalb.mk.

“Me rastin e Ditës Botërore të Goditjes në Tru – 29 tetor, Klinika Universitare e Neurologjisë organizon nesër një ditë të hapur për qytetarët me qëllim ndërgjegjësimin, njohjen e simptomave, diagnozën e hershme dhe trajtimin në kohë të goditjes në tru”, njoftoi Ministria, duke theksuar se moto e fushatës është “Goditja në tru trajtohet”.

Ministria theksoi faktorët që mund të sjellin goditjes në tru, si tensioni, sheqeri, yndyra, duhani dhe jeta pasive.

“Në kuadër të këtij aktiviteti, më 28 tetor 2025 (e martë), do të kryhet kontroll falas me dopler të arterieve karotide për të gjithë qytetarët e interesuar, pa pasur nevojë për udhëzim mjekësor, në periudhën nga ora 10:00 deri në 12:00, në ambientet e Klinikës së Neurologjisë”, sqaroi Ministria.