Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka thënë bashkëpunëtorëve të afërt në biseda private se Izraeli ka shumë pak mundësi të ndikojë në vendimmarrjen e Donald Trumpit lidhur me Iranin, ndërsa presidenti amerikan po negocion një marrëveshje në luftën gati tremujore, kanë thënë dy burime.

Komentet e Netanyahut, të përshkruara për Reuters nga dy zyrtarë izraelitë me dijeni për bisedat, vijnë në një kohë kur Izraeli është lënë kryesisht jashtë negociatave për arritjen e një marrëveshjeje fillestare që synon ndalimin e luftës, e cila nisi me bombardime të përbashkëta amerikano-izraelite.

Si SHBA-ja ashtu edhe Irani kanë minimizuar shpresat për një përparim në bisedime dhe vazhdojnë të kundërshtojnë ambiciet bërthamore të Iranit, kërkesat e Teheranit për heqjen e sanksioneve dhe luftën e Izraelit në Liban kundër militantëve të Hezbollahut.

Netanyahu po kërkon të drejtën për të vazhduar operacionet kundër kërcënimeve të perceptuara në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, një kusht që mund të pengojë marrëveshjen nëse Irani këmbëngul për ndalimin e plotë të operacioneve ushtarake izraelite në jug të Libanit.

Njëri nga zyrtarët izraelitë, i përfshirë në bisedat private të Netanyahut, ka thënë se lideri izraelit kishte shprehur shqetësime për memorandumin e mirëkuptimit që po negociohet aktualisht.

Marrëveshja parashikon që Irani të hapë Ngushticën e Hormuzit në këmbim të heqjes nga SHBA-ja të bllokadës detare, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës Trump, e më pas do të pasonin negociata të tjera mbi çështjet bërthamore.

SHBA-ja dhe Irani kanë zhvilluar bisedime indirekte të ndërmjetësuara nga Pakistani.

Burime iraniane i kanë thënë Reuters se në fazat e ardhshme mund të gjenden “formula të realizueshme” për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, përfshirë hollimin e materialit nën mbikëqyrjen e agjencisë bërthamore të OKB-së.

Pavarësisht se marrëveshja nuk adreson menjëherë shqetësimet e Izraelit lidhur me programin bërthamor dhe rezervat e Iranit, Netanyahu e pranon se Izraeli “nuk ka hapësirë manovrimi për të ndikuar presidentin tani”, ka thënë zyrtari izraelit.

Trumpi dhe Netanyahu kanë folur në telefon të paktën tri herë gjatë javës së fundit, periudhë gjatë së cilës zyrtarët izraelitë kanë thënë se vendi kishte bërë përgatitje për rikthimin e sulmeve të përbashkëta ajrore me SHBA-në kundër Iranit, duke synuar infrastrukturën energjetike.

Pas bisedës së parë mes tyre, të martën në mbrëmje, Trumpi është pyetur nga gazetarët se çfarë i kishte thënë Netanyahut.

“Ai është një njeri shumë i mirë, do të bëjë çfarëdo që unë dua që ai të bëjë”, ka thënë Trumpi.