Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të enjten se përmbysja e regjimit në Iran është “e arritshme”, duke argumentuar se ai është më i dobët se kurrë në dritën e konfliktit që shpërtheu më 28 shkurt midis Teheranit, Uashingtonit dhe Tel Avivit.

Gjatë një aktiviteti me udhëheqësit ushtarakë, Netanyahu u shpreh se, “Ne mund ta largojmë këtë kërcënim një herë e përgjithmonë, domethënë, ta rrëzojmë këtë regjim. Kjo është detyra qendrore që ende na pret, por është afër. Nuk është e pamundur. Është e arritshme.”

Ai shtoi se “regjimi aktualisht po lëkundet, është më i dobët se kurrë dhe po lufton për mbijetesën e tij.”

Deklaratat e Netanyahut vijnë ndërsa Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, paralajmëroi se sanksionet ekonomike të SHBA-së ndaj Iranit kanë rezultuar efektive, por presioni mund ta shtyjë Teheranin të ndërmarrë hapa përshkallëzues.

“Ne shohim shenja se presioni i rëndë ekonomik nën të cilin ndodhen, si dhe frika nga një kryengritje popullore dhe rënia e regjimit, mund t’i shtyjnë ata të ndërmarrin hapa përshkallëzues,” tha Katz gjatë një ceremonie në ministrinë e tij.

Konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu më 28 shkurt me sulme nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, i cili u kundërpërgjigj duke kryer sulme në rajon dhe duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit, jetike për furnizimet me energji.

Pas përpjekjeve diplomatike u arrit një armëpushim në prill, i ndjekur nga një memorandum mirëkuptimi në qershor për bisedime paqeje, por procesi dështoi.

Muajin e kaluar, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi një seri të re sanksionesh që synojnë “mbytjen” e ekonomisë iraniane, ndërsa Forcat Ajrore amerikane rifilluan sulmet ndaj Iranit të dielën.

Katz paralajmëroi se çdo sulm iranian do të përballet me një kundërpërgjigje të fortë.

“Regjimi i Ajatollahut në Iran e di shumë mirë pse nuk e sulmon Izraelin, pasi ne i goditëm fort dy herë, shkatërruam programin e tyre bërthamor, eliminuam Ali Khamenein dhe shkaktuam dëme serioze në aftësitë e tyre strategjike.”

Ai shtoi se “Çdo sulm iranian ndaj Izraelit do ta çlirojë Izraelin nga çdo kufizim ekzistues. Ne do të godasim të gjithë infrastrukturën ushtarake dhe civile kombëtare të Iranit, përfshirë infrastrukturën e tij energjetike, dhe do ta kthejmë Iranin në Epokën e Gurit.”

Ministri i Mbrojtjes përsëriti se Izraeli është i përgatitur të reagojë “me forcë të madhe” ndaj çdo sulmi, veçanërisht gjatë festave hebraike që fillojnë në mesin e shtatorit.