Platforma e 14 organizatave qytetare që organizojnë aktivitete për parandalimin dhe mbrojtjen e popullsisë nga HIV reagojnë për shkak se Qeveria ua ka ulur Buxhetin nga 100 milionë, në 90 milionë denarë. Ata u mblodhën para Qeverisë prej ku dërguan kërkesë që t’u sigurohen së paku buxheti i patjetërsueshëm për punë, që sipas vlerësimeve duhet të jetë së paku 130 milionë denarë.
“Me shumën momentale të paraparë në propozim buxhetin për vitin 2025, që është 90 milionë për këtë program, nuk do të kemi mundësi që të sigurojmë terapi adekuate dhe të mjaftueshme për të gjithë pacientët, ndërsa natyrisht parandalimi plotësisht do të pësojë shfuqizim. Do të doja të theksoj se për momentin rreth 130 pacientë, përkatësisht 30% nga numri i përgjithshëm i pacientëve me HIV marrin terapi e cila është e vjetër. Porosia jonë është që të mos lejojmë si vend që në vitin 2025 përsëri të rritet epidemia e HIV-it”, tha Andrej Senik – Shoqata për persona me HIV.
Vllatko Dekov nga “HOPS” thotë se me buxhetin e tillë të paraparë për vitin e ardhshëm, organizatat civile do të humbin të gjithë programet për parandalimin nga HIV.
“Pjesa më e madhe e këtyre programeve ekzistojnë më shumë se 20 vjet dhe më saktësisht do të humbim këto programe dhe shërbime për qytetarët. Bëhet fjalë për shërbime për skrining dhe testim për HIV, ambulanta mobile që është e hapur në vitin 2007 si dhe shërbimet e stacionuara për HIV në territorin e shtetit që në vitin 2023 i kanë shfrytëzuar 1750 persona, 35% prej tyre janë të rinj”, u shpreh Vllatko Dekov – HOPS.
Të dhënat e fundit nga Instituti për shëndet publik flasin se është rritur numri i të infektuarve me HIV. Vetëm për këtë vit, numri i personave të infektuar është më i madh për 51 raste të reja prej të cilëve pjesa më e madhe i përkasin gjinisë mashkullore.
