E dënuara për ekstremizëm të djathtë, Marla Svenja Liebich, është arrestuar në Republikën Çeke pas disa muajsh në arrati.
Sipas autoriteteve, Liebich u kap nga policia çeke në zonën e Schönbach pranë Asch, mbi bazën e një urdhër-arresti europian. Prokuroria në Halle bëri të ditur se tashmë pritet nisja e procedurave për ekstradimin e saj drejt Gjermanisë.

Liebich ishte dënuar në korrik 2023 nga Gjykata e Halle-s me një vit e gjashtë muaj burg për nxitje të urrejtjes dhe vepra të tjera penale. Ajo duhej të paraqitej për të vuajtur dënimin më së voni deri më 29 gusht 2025 në burgun e grave në Chemnitz, por nuk u paraqit, duke u zhdukur.
Pas kësaj, autoritetet gjermane nisën një kërkim në shkallë kombëtare, ndërsa vetë Liebich kishte pretenduar në rrjetet sociale se ishte larguar jashtë vendit.
Rasti ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të ndryshimit të identitetit gjinor të saj. Ajo kishte ndryshuar emrin nga Sven në Marla Svenja dhe gjininë nga mashkull në femër. Kjo gjë nxiti debat në Gjermani lidhur me ligjin e ri për vetëpërcaktimin gjinor. Organizatat për të drejtat civile dhe komuniteti trans kanë shprehur dyshime se ky veprim mund të jetë bërë si provokim politik, për të diskredituar ligjin e ri.

Disa kritikë kanë sugjeruar se ndryshimi mund të lidhet edhe me çështje praktike, si vendosja në burg për gra. Autoritetet pritet të vijojnë procedurat ligjore për kthimin e saj në Gjermani, ku do të përballet me vuajtjen e dënimit të dhënë nga gjykata.
