-Nga e hëna, 55 autobusë privatë do të qarkullojnë në Shkup, ndërsa deri në fund të vitit pritet të përfshihen edhe 20 të tjerë. Në mars, me mbështetjen e Qeverisë, pritet të sigurohen edhe 80 autobusë të rinj, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjoorgjievski.
Nga parkingu para sallës “Boris Trajkovski”, ai paralajmëroi përmirësim të transportit publik, përfshirë rikthimin e transportuesve privatë në sistemin e transportit të qytetit.
“Sikurse premtuam gjatë fushatës, kemi filluar me aktivitete për pastrimin e qytetit dhe zgjidhjen e problemeve kryesore të qytetarëve. Një nga këto masa është përfshirja sërish e transportuesve privatë në transportin publik”, tha Gjorgjievski.
Sipas tij, brenda 48 orëve nga marrja e detyrës është arritur marrëveshje dhe janë lëshuar licencat për 55 autobusë privatë, që do të fillojnë qarkullimin nga e hëna.
“Shtesë, deri në fund të vitit, sipas informacionit nga transportuesit privatë, do të përfshihen të paktën edhe 20 autobusë. Kjo do ta normalizojë plotësisht transportin publik për qytetarët. Në koordinim me Qeverinë, presim që rreth muajit mars të arrijnë edhe 80 autobusë të rinj. Ky është fillimi i zgjidhjes së kaosit në komunikacion dhe krijimit të alternativave për qytetarët”, u shpreh ai.
Kryetari sqaroi se një pjesë e linjave do t’u jepen transportuesve privatë, disa do të jenë të kombinuara me ndërmarrjen publike NQP SHkup, por linjat e NQP-së nuk do të reduktohen. Do të bëhet edhe rishikim i orareve dhe linjave, të cilat, siç theksoi, nuk janë ndryshuar prej dekadash.
Gjoorgjievski theksoi se gjendja financiare e qytetit është e rënduar, me vetëm 40 milionë denarë në llogari dhe borxhe të konsiderueshme të ndërmarrjeve publike, por paralajmëroi masa për stabilizim dhe pagesë të rregullt të detyrimeve.
Ai gjithashtu foli për keqpërdorimet me punonjës që nuk paraqiteshin në punë.
“Dje kishim një listë me 371 persona që merrnin rrogë pa ardhur në punë. Sot numri është 398, dhe pres të arrijë deri në 500. Kjo i kushton qytetit të paktën 5 milionë euro në vit, ose 20 milionë euro në katër vite – para që mund të investoheshin, për shembull, në Luna Park për Shkupin”, theksoi ai.
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente të hetojnë rastet dhe paralajmëroi përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që kanë nënshkruar për këto keqpërdorime.
“Pavarësisht përkatësisë partiake, fetare apo etnike, detyra ime është të kujdesem për çdo denar të qytetarëve”, deklaroi Gjoorgjievski.
Përfaqësuesi i transportuesve privatë, Jovica Zafirovski, tha se ata janë pjesë shumë e rëndësishme e transportit publik në Shkup.
“Ne kemi punuar seriozisht për rinovimin e flotës, kemi autobusë ekologjikë dhe jemi të përgatitur t’i përgjigjemi nevojave të qytetarëve”, u shpreh ai.
Ai shtoi se komunikimi me kryetarin është i mirë dhe pret bashkëpunim në përmirësimin e orareve dhe projekteve të tjera të transportit.
“Shumë shpejt do të kemi orar të rregullt. Qytetarët nuk do të presin. Ashtu siç do të shkruhet në tabelat informative, ashtu do të arrijnë autobusët: në kohë, të pastër, ekologjikë dhe me klimatizim”, tha Zafirovski.
Lidhur me borxhin e NQP-së ndaj transportuesve privatë, ai tha se ai kap vlerën prej 170 deri 180 milionë denarësh.

