Gazetar: Zekirija Haxhiu

Komuna Qendër ka marrë vendim për largimin e rreth dhjetë objekteve për shitje të vendosura në sheshin “Filipi i Dytë” dhe në hyrje të Çarshisë së Vjetër, të cilat sipas inspektoratit të komunës, janë vendosur dhe rrethuar në mënyrë ilegale. U është dhënë afat një javor për t’i larguar vullnetarisht, ose në të kundërtën, do t’i largojë komuna. Disa prej tyre, zgjodhën të parën.

“Inspektorët e komunës Qendër kanë kryer inspektim në sheshin “Filipi i Dytë” dhe në hyrje të Çarshisë së Vjetër ku janë konstatuar tezga të vendosura në mënyrë ilegale. Atyre u është dhënë afat për t’i larguar vullnetarisht. Nëse nuk e bëjnë, nga java që vjen këtë do ta bëjë vet komuna Qendër”, thonë nga Komuna Qendër.

Njëri prej shitësve nuk e ka të qartë pse duhet t’i largojnë. Për Alsat thotë se ka kërkuar për vite me radhë leje nga komuna por nuk i kanë dhënë.

“Nuk e di pse na largojnë. Ka njerëz këtu që nuk mund të nxjerrin asgjë për bukë. Nuk kanë alternativë tjetër por të shesin. Zgjedhin të punojnë e jo të vjedhin. Unë personalisht me vite kam kërkuar leje por nuk më japin. Dhe çfarë të bëj? Të vjedh? Jo! Babai më ka mësuar të punoj”, tha një shitës.

Në këto tezga kryesisht shiten suvenire për turistë, bizhuteri, lodra për fëmijë, pajisje për telefona por edhe ushqime të ndryshme. Këto hapësira më herët kanë qenë të zbrazëta por kohë pas kohe qytetarë të ndryshëm i kanë uzurpuar me tezga dhe objekte që montohen. Nga Komuna Qendër kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë uzurpimin e hapësirave publike por do të vazhdojnë me kontrolle për të ruajtur rendin, sigurinë dhe pamjen autentike të qytetit./Alsat.mk

The post Nga java që vjen komuna Qendër do të largojë tezgat dhe objektet e vendosura në mënyrë ilegale në hyrje të Çarshisë dhe rreth sheshit “Filipi i Dytë” appeared first on Alsat.