Sistemi i pagesave në Maqedoninë e Veriut po hyn në një fazë të re me zbatimin e standardit ndërkombëtar ISO 20022, me ç’rast formularët e njohur të pagesave PP 30 dhe PP 50 zëvendësohen me formularë të rinj. Për qytetarët dhe bizneset, kjo nuk nënkupton ndryshim të parave apo të pronësisë së llogarive bankare, por një mënyrë të re të plotësimit të urdhërpagesave: formatin e detyrueshëm IBAN me 19 karaktere, kode të reja katërshkronjëshe për pagesat dhe rregulla më të strukturuara në shërbimet e-banking dhe mobile banking.

Ndryshimi kryesor në transaksionet e përditshme është formati i ri i llogarisë bankare në denarë, IBAN. Llogaria e deritanishme 15-shifrore tashmë duhet të shënohet në formatin e plotë, me prefiksin MK07, duke arritur gjithsej 19 karaktere.

Vetë llogaria e klientit nuk ndryshon, por pajiset me kodin ndërkombëtar të shtetit dhe dy shifra kontrolluese. Këto shifra shërbejnë si një filtër sigurie në sistemet elektronike: nëse përdoruesi gabon qoftë edhe një numër gjatë plotësimit, aplikacioni ose sistemi bankar e bllokon menjëherë procesimin e pagesës, përpara se paratë të dërgohen në llogari të gabuar.

Kodet e vjetra numerike, si 100 për blerje, 200 për shërbime, 310 për paga dhe seria 500 për detyrimet buxhetore, zëvendësohen me kode ndërkombëtare ISO me katër karaktere.

Për pagesën e pagave do të përdoret kodi SALA, për faturat e shërbimeve komunale, si energjia elektrike, uji dhe interneti, kodi UTIL, ndërsa për tatimet dhe taksat administrative kodi TAXS. Pagesat për mallra dhe shërbime do të regjistrohen me kodet GDDS, përkatësisht SCVE, qiratë me RENT, ndërsa policat e sigurimit me INSU.

Në aplikacionet për mobile dhe e-banking, përdoruesit zakonisht nuk do të kenë nevojë t’i mësojnë përmendësh këto shkurtesa. Bankat po i integrojnë ato në menytë përkatëse, në gjuhën maqedonase, ku secili lloj i pagesës shpjegohet qartë.

Llogaritë e ruajtura të përfituesve në aplikacionet bankare janë konvertuar automatikisht në formatin IBAN. Megjithatë, përdoruesit mund të vërejnë ndryshime te disa nga shabllonet e krijuara më parë për pagesat e rregullta mujore.

Në urdhërpagesat ku kodet e vjetra treshifrore nuk kanë një përputhje të drejtpërdrejtë në sistemin e ri, aplikacioni gjatë pagesës së parë kërkon nga përdoruesi që ta zgjedhë manualisht kodin e ri nga menyja dhe ta ruajë sërish urdhërpagesën.

Edhe fushat për numrin e referencës dhe modelin e pagesës tashmë janë të standardizuara më rreptësisht, me qëllim që të shmanget plotësimi jo i plotë i faturave nga ndërmarrjet publike komunale dhe operatorët e telekomunikacionit.

Për qytetarët që ende kryejnë pagesa drejtpërdrejt në sportelet e bankave ose postës, ndryshimi sjell edhe formularë të rinj:

  • Formulari KTD (Transfer kreditor në denarë) zëvendëson formularin PP 30 për pagesat ndërmjet qytetarëve dhe kompanive.
  • Formulari KTB (Transfer kreditor për shfrytëzuesit buxhetorë) zëvendëson PP 50 për pagesën e tatimeve, gjobave dhe taksave ndaj shtetit.
  • Formulari VG (Depozitim i parave të gatshme) zëvendëson PP 10, ndërsa PG (Tërheqje e parave të gatshme) zëvendëson PP 40.
  • Për kompanitë, formulari ZKT (Transfer kreditor i përmbledhur) zëvendëson PP 53 për pagesën në grup të pagave.

Ky harmonizim teknik i sistemit vendor të pagesave paraqet një përgatitje të drejtpërdrejtë të sektorit bankar për anëtarësimin e vendit në sistemin SEPA, i cili pritet të mundësojë pagesa ndërkufitare më të shpejta dhe më të lira me vendet evropiane.