Ngjashmëritë mes tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan dhe zjarrit në bar-klubin zviceran “Le Constellation” në Crans Montana janë shqetësuese. Në të dy rastet, rreziku fatal nuk ka qenë ndonjë licencë apo leje e nënshkruar shumë vite më parë, por është krijuar në të tashmen, përmes rinovimeve të lokaleve, materialeve të përdorura, mënyrës së shfrytëzimit të hapësirës dhe mungesës së përgjegjshmërisë për këto ndryshime.

Rasti i Crans Montanës është vetëm një konfirmim tjetër i asaj që kishte ndodhur ndër vite edhe në diskotekën e Koçanit mënyra se si adaptimet moderne e kanë zhvlerësuar sigurinë e hapësirës. Edhe pse Zvicra konsiderohet një vend me standarde rigoroze, hetimi për zjarrin në bar zbuloi se defekti kyç ishte diskrepanca e madhe mes projektit të miratuar dhe gjendjes reale të objektit pas rindërtimit të fundit, të realizuar gjatë pesë–gjashtë viteve të fundit.

Kur rinovimi estetik bëhet fatal

Të dy objektet, ndonëse në shtete të ndryshme, ndajnë të njëjtën fije fatale: rinovime radikale dhe të paautorizuara që e kanë ndryshuar plotësisht fizionominë e hapësirës.

Në aktakuzën për Koçanin, që përmban 166 faqe, ndër provat gjenden edhe fatura për blerjen e sfungjerëve dhe materialeve të përdorura si izolim akustik. Për më tepër, në deklaratat publike lidhur me çështjen theksohet se objekti nuk kishte leje për rindërtim dhe mungonin dokumente kyçe projektimi dhe sigurie, përfshirë një raport të posaçëm për mbrojtje nga zjarri, shpërthimet dhe materialet e rrezikshme. Kjo e vendos “rindërtimin pa gjurmë” në qendër të përgjegjësisë.

Ekspertizat në të dy rastet nxjerrin në pah mangësitë e materialeve të përdorura gjatë rinovimeve, ndryshimet thelbësore të interierit, dyert e mbyllura dhe mosnjoftimin e institucioneve kompetente për këto ndërhyrje.

Ekspertët vërtetuan se izolimi i ri i vendosur në tavane ka vepruar si katalizator. Në vend që të frenonte flakën, ai është shkrirë dhe ka pikuar, duke krijuar vatra dytësore zjarri. Ky realitet teknik përputhet dhimbshëm si me rastin e Crans Montana, ashtu edhe me dëshmitë e të mbijetuarve në Koçan, të cilët përshkruajnë temperatura përvëluese dhe pamundësinë për të gjetur dalje në një hapësirë që ishte bërë e panjohshme.

Drejtësia kërkon saktësi, jo gjueti shtrigash

Përfundimi i ekspertëve zviceranë është i qartë – përgjegjësia nuk mund t’i faturohet komisionit që e kishte miratuar objektin në kohën e ndërtimit, shumë vite më parë. Faji qëndron te pronari që nuk ka raportuar “ndryshimet thelbësore të interierit” dhe te mbikëqyrja inspektuese që ka dështuar të kryejë kontroll pas përfundimit të punimeve artizanale.

Edhe pse tragjedia në Koçan e vitit 2024, e cila këto ditë po merr epilog gjyqësor me dëshmi tronditëse, tregon se problemi nuk qëndron te “letrat” e lëshuara një dekadë më parë, por te mënyra se si pronarët e kanë rregulluar hapësirën, aktakuza paraqet një histori të gjatë dështimesh sistemike dhe mosveprimesh, të mbështetura nga një numër i madh provash dhe dëshmitarësh.

Ngjashëm me rastin zviceran të janarit 2026, ku bari ishte rinovuar me materiale lehtësisht të djegshme pa inspektim adekuat që nga viti 2019, edhe “Puls” kishte pësuar ndryshime që e kishin shndërruar diskotekën në një kurth vdekjeprurës. Dëshmitë e të mbijetuarve nga Koçani flasin për çorientim për shkak të tymit të dendur dhe pamundësi për të gjetur daljet, duke treguar se arkitektura e brendshme ishte ndryshuar në mënyrë që e kishte pamundësuar evakuimin e sigurt.

“Nuk kishte drita për dalje emergjente dhe hapësira ishte aq e ndarë saqë, në tym, nuk e dinim ku ishte dera,” thuhet në disa nga deklaratat.

Në objekt nuk kishte as aparate kundër zjarrit në vende të dukshme, ndërsa ishin përdorur mjete piroteknike. Të gjitha këto janë vendime të marra në të tashmen, jo në momentin e nënshkrimit të lejeve fillestare të punës.

Në vend të shmangies, duhet goditur burimi i rrezikut

Tragjeditë në Koçan dhe në Crans Montana nuk janë thjesht aksidente, ato janë rezultat i “modernizimit” të objekteve në kurriz të sigurisë. Kur ndryshohet struktura, duhet të ndryshohet edhe protokolli i sigurisë. Pyetja kyçe që del nga informacionet publike në të dy rastet është nëse pronarët e kanë trajtuar sigurinë si një detyrim të përhershëm, veçanërisht pas ndërhyrjeve në interier, veshjeve akustike, izolimeve, organizimit të hapësirës dhe praktikave si përdorimi i piroteknikës. Kjo e bën kërkimin e përgjegjësisë te administratat e kaluara një shmangie nga problemi real – veprimet dhe vendimet e pronarëve.

Përfundimi që del nga kjo paralelizëm është i vetëkuptueshëm: siguria në objektet me tubime masive nuk është “letër e arkivuar”, por një detyrim i gjallë që duhet të provohet me çdo ndryshim. Nëse drejtësia duhet të jetë e saktë, ajo duhet ta lokalizojë përgjegjësinë aty ku rreziku është krijuar realisht dhe është lënë të ekzistojë – te gjendja e realizuar, te kontrollet e munguara dhe te vendimet që e kanë shndërruar arkitekturën në kurth.

Burimi: Plusinfo