Nga sot deri më 15 nëntor do të zgjasë periudha e aplikimit për bursat studentore për vitin akademik 2025/2026. Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se studentët mund të aplikojnë sipas konkursit për katër kategori bursash.
Për herë të parë këtë vit, Ministria ka shpallur edhe konkurs për ndarjen e 15 bursave për studentë të rregullt të regjistruar në vitin e parë në programet studimore për gjuhën maqedonase për vitin akademik 2025/2026, për të cilat aplikimi është gjithashtu nga 1 deri më 15 nëntor 2025.
Këto bursa jepen në bazë të dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe kanë për qëllim të nxisin nxënësit e vitit të katërt të arsimit të mesëm që të regjistrohen në programe studimore për gjuhën maqedonase.
Në konkursin e publikuar janë të përcaktuara kushtet dhe dokumentet e nevojshme për këtë bursë, e cila do të jetë me një shumë mujore prej 6.050 denarë, që do të paguhet për nëntë muaj gjatë vitit akademik.
Lista e kandidatëve që do të përfitojnë bursën do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës: www.mon.gov.mk
Studentët e interesuar që plotësojnë kushtet e konkursit dhe duan të aplikojnë për ndonjërën nga bursat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, mund të aplikojnë vetëm në mënyrë elektronike përmes platformës: www.e-uslugi.mon.gov.mk
Studentët kanë të drejtë të aplikojnë vetëm për një lloj bursë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës./TV21

