Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur fjala përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kjo paraqet fazën përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar tetë orë kohë për parashtrimet e saj.
Dy javët në vazhdim prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces, shkruan KosovaPress.
Të pranishëm në sallën e gjyqit janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
The post Nis fjala përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë appeared first on Alsat.
