Sot ka nisur zyrtarisht sezoni i ri i skijimit në Kodrën e Diellit, bëri të ditur drejtori i Qendrës së Skive, Gani Aliji.
Ai deklaroi se të gjithë ashensorët e skive janë funksionalë, me përjashtim të ashensorit në Cerepashinë, i cili përkohësisht është jashtë përdorimit për shkak të erërave të forta.
Sipas tij, ky ashensor do të vihet sërish në funksion menjëherë sapo të përmirësohen kushtet atmosferike.
Megjithatë, pavarësisht fillimit të sezonit, qytetarët po ankohen për vështirësi në qarkullim. Disa prej tyre raportojnë se rruga drejt Kodrës së Diellit ka qenë e bllokuar.
Një qytetar ka shkruar në rrjetet sociale se ka qëndruar i bllokuar për rreth 40 minuta në fshatin Gajre, gjatë rrugës për në qendrën skijimi.
Ndryshe, Qendra e Skive njoftoi dje se orari i funksionimit të ski-ashensorëve do të jetë nga ora 08:45 deri në 15:00, ndërsa biletat sezonale mund të blihen në biletarinë e Kodrës së Diellit.
The post Nis zyrtarisht sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit appeared first on Alsat.
