Gazetar: Miki Trajkovski
Rritja e nivelit të ujit nëpër lumenj nga reshjet intensive ka shkaktuar probleme në pjesë të Ohrit. Rrugë të përmbytura, oborre, shtëpi dhe bodrume me ujë, ara dhe sera të përmbytura. Këtë e ka regjistruar kamera e Alsatit. Shtëpitë e pranë lumit Koselska kanë pësuar dëme të shumta. Disa nga banorët vetë po e pastronin shtratin e lumit. Të përmbytura janë edhe rreth dhjetë shtëpi në fshatin Orman, ndërsa banorët janë të shkëputur nga qyteti, i shkatërruar është edhe prodhimi i sivjetshëm, i cili është nën ujë. Për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve është mbyllur një pjesë e rrugës Ohër–Shën Naum.
“Kjo kishte ndodhur edhe disa vite më parë. Është për shkak të shiut, kishte rënë shumë shi, përndryshe gjithçka është në rregull. Situata nuk është ashtu siç duhet, por do të kalojë. Mund të shihni vetë, kanalizimi dhe sistemi janë në rregull, uji shkon pa problem. Në këto ndërtesa dhe bodrume ka përmbytje nga uji. Njerëzit vetë e nxjerrin me pompa“, tha një banor.
Në rrugën Bistrica, në një nga shtëpitë, niveli i ujit është më shumë se 30 centimetra.
Edhe Çerrava, i cili buron në Republikën e Shqipërisë dhe derdhet në Liqenin e Ohrit shkaktoi probleme. Janë përmbytur shtëpi dhe oborre pranë liqenit në fshatin Lubanishtë. Një pamje e tillë nuk mbahet mend që nga përmbytjet e vitit 1962. Reshjet e fundit kanë përkeqësuar gjendjen edhe në Liqenin e Ohrit. Nga EMV për Alsat njoftojnë se niveli i liqenit tani është 693,33 metra, që është 2 centimetra mbi mesataren e dhjetorit dhe 23 centimetra mbi nivelin minimal. Rritje ka edhe në Liqenin e Dibrës, i cili gjatë 4 ditëve ka shënuar një ngritje prej dy metrash./Alsat.mk
The post Niveli i rritur i lumenjve ka shkaktuar kokëçarje për banorët e pjesëve të ndryshme të Ohrit appeared first on Alsat.
