Një burrë i armatosur me pistoletë është arrestuar pasi kishte fotografuar dhe incizuar ambientet e klubit të golfit “Trump National”, në pronësi të presidentit amerikan Donald Trump, në qarkun e Los Anxhelosit.
Incidenti ndodhi gjatë fundjavës, njoftoi sot Zyra e Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit.
Sipas autoriteteve, policia gjeti automjetin e të dyshuarit, Janin John Thiel (38), në parkingun e klubit të golfit. Gjatë kontrollit iu gjet një karikator me 16 fishekë, një pistoletë e mbushur me fishek në tytë, si dhe një karikator shtesë i mbushur me municion.
Thiel u arrestua për mbajtje të fshehtë të armës së zjarrit dhe posedim të municionit të ndaluar që mund të depërtojë jelekët antiplumb. Pas arrestimit, detektivët kontrolluan banesën e tij, ku gjetën armë të tjera zjarri dhe disa fletore me deklarata që autoritetet i cilësuan si shqetësuese.
I dyshuari, banor i Dauni, Kaliforni, po mbahet me një garanci prej 250 mijë dollarësh dhe pritet të dalë para gjykatës më 26 gusht
“Edhe pse ende po hetojmë motivet e këtij personi, jemi mirënjohës që ai u arrestua para vizitës së presidentit. Autoritetet federale dhe lokale ndërhynë në kohë dhe parandaluan një situatë që mund të ishte e rrezikshme. Hetimet vazhdojnë”, deklaroi ndihmësprokurori federal Bill Essayli.
Ngjarja ndodhi të dielën, një ditë para se të bëhej publike se presidenti Donald Trump do të vizitojë këtë javë pronën e tij në Rancho Palos Verdes, pranë Los Anxhelosit, për të marrë pjesë në një darkë të Komitetit Kombëtar Republikan.
